Tensionet në Lindjen e Mesme, shpërthim në bazën e Gardës Revolucionare në Kurdistanin Perëndimor

Mar 4, 2026 | 19:28

Një shpërthim tronditi sot një qytet në provincën e Kurdistanit Perëndimor në Iran, sipas një videoje autenticiteti i së cilës u verifikua nga Agence France-Presse, në ditën e pestë të luftës në Lindjen e Mesme.

kurdistan_baneh_xr (1)

Re të mëdha tymi u panë mbi qytetin Baneh në orët e mëngjesit. Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale, objektivi i sulmit ishte një bazë e Gardës Revolucionare, forcës ideologjike të Iranit.

Teherani i konsideron “organizata terroriste” grupet kurde që në të kaluarën janë përplasur me forcat iraniane të sigurisë në zonat me shumicë kurde në veriperëndim të vendit.

Vitet e fundit, këto grupe kanë ndalur veprimtarinë e armatosur brenda Iranit, por vazhdojnë aktivitetin politik dhe organizativ nga mërgimi, kryesisht nga Iraku.

Më herët, Garda Revolucionare njoftoi se kishte vënë në shënjestër, në Kurdistanin irakian fqinj, organizata të armatosura kurde opozitare.

Pesë organizata, mes tyre Democratic Party of Iranian Kurdistan (PDKI) dhe Kurdistan Freedom Party (PAK), kanë njoftuar së fundmi bashkimin në një formacion politik me synimin për të arritur vetëvendosjen e kurdëve.

Rrjeti televiziv amerikan CNN raportoi gjithashtu se CIA kishte planifikuar të armatoste kurdët për t’u ngritur në Iran. Sipas CNN, kjo mbështetje amerikane kishte nisur muaj përpara shpërthimit të luftës, duke cituar burime amerikane dhe një zyrtar të lartë të qeverisë rajonale të Kurdistanit.

Sipas “The Wall Street Journal”, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i hapur ndaj mbështetjes së grupeve në Iran që janë të gatshme të marrin armët për të rrëzuar regjimin. Një ide e tillë mund t’i shndërrojë fraksionet iraniane në forca tokësore të mbështetura, të paktën teorikisht, nga Uashingtoni.

Sipas të njëjtave burime, Trump ka biseduar të dielën me liderë kurdë në Iran dhe po vijon kontaktet me udhëheqës të tjerë lokalë që mund të përfitojnë nga dobësimi i Teheranit.

Kurdët kanë forca të konsiderueshme përgjatë kufirit Irak–Iran, ndërsa Izraeli ka bombarduar objektiva në Iranin perëndimor, duke shtuar spekulimet se po përgatitet terreni për një avancim kurd.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se “presidenti Trump ka folur me shumë partnerë rajonalë”, pa konfirmuar qartë objektivat e tij. Zyrtarët theksuan se Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, përfshirë nëse do të ofrojë armë, trajnim apo mbështetje të inteligjencës për grupet që kundërshtojnë regjimin.

Duke shpallur nisjen e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Trump i bëri thirrje popullit iranian të ngrihet dhe të marrë pushtetin, duke shtuar se “Amerika ju mbështet me forcë dërrmuese dhe fuqi shkatërruese”.

Të martën, Trump ndau dy herë në rrjetet sociale një opinion të publikuar nga The Washington Post mbi “doktrinën Trump”. “Nuk ka nevojë për pushtim amerikan”, shkroi kolumnisti Marc Thiessen. “Populli iranian është forca në terren.”

© Panorama.al

Te lidhura