Drejtori i Gjendjes Civile, Arman Teliti tha sot se vendimi i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për kombësinë nuk ka lidhje me procesin e censusit (regjistrimin e popullsisë.)
Në një deklaratë për mediat, Teliti sqaroi se të dhënat të cilat gjatë censusit do të deklarohen me vullnet të lirë nga shtetasit shqiptar nuk do të hidhen në regjistrat e gjendjes civile.
Dy ditë më parë, gjykata Kushtetuese ka hequr termin “kombësi” nga ligji “Për Gjendjen Civile”.
Përmes një votimi 6 me 2, trupa e gjyqtarëve vendosi ta cilësojë, në kundërshtim me Kushtetutën, nenet 6, 8, 42/2, 58 të ligjit “Për Gjendjen Civile”, që bien ndesh me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenet 9,14 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë mënyrë, termi “kombësi” nuk do të shkruhet më në dokumentet e gjendjes civile, si certifikatë apo kartë identiteti apo pasaportë.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzon automatikisht vetëdeklarimin e kombësisë së shtetasve e, për pasojë, dhe përpjekjet për ndryshimin e saj, fenomen shumë i përhapur në qytetet Sarandë, Korçë, Përmet dhe Shkodër.
Kërkesa për shpalljen antikushtetues të neneve të ligjit “Për Gjendjen Civile” erdhi fillimisht nga gjyqtari i rrethit Sarandë, Alltun Çela e më pas dhe gjyqtarë të Përmetit dhe të Shkodrës, nisur nga kërkesat e mëdha për ndryshimin e kombësisë të shtetasve shqiptarë, nga shqiptare në greke apo serbe.
© Panorama.al











