Teatri i Metropolit hap sezonin me dy shfaqje në të njëjtën orë

Sep 15, 2011 | 12:38

Dy shfaqje në të njëjtën ditë e orë. Kjo është mirëseardhja e veçantë që Teatri i Metropolit i bën publikut kryeqytetas. Pas një periudhe pushimi, Teatri i Metropolit hap sezonin artistik me dy komedi. E ndoshta për herë të parë publikut i duhet të zgjedhë nëse duhet të hyjë në sallën “Shekspir” apo në atë “Bodrum”, nëse duhet të shohë një komedi të zezë, një copëz përditshmëri ideuar nga Genti Bejko, apo një komedi femërore me regji të Renada Cacit. Për drejtorin e Qendrës Kulturore Tirana, Kiço Londo, e rëndësishme është që publiku të bëhet pjesë e sezonit të ri artistik në Teatrin e Metropolit, i cili do të vijojë me të tjera surpriza. Më 8 tetor pritet premiera e re “Gratë në Parlament” e Aristofanit, nga regjisorja Elma Dorezi, ndërkohë që mësohet se pjesë e kalendarit është edhe tragjedia “Shtëpia e Bernarda Albës” nga Federico Garcia Lorka, e cila do të rikthejë në skenë aktoren Luiza Xhuvani. Nuk do të mungojnë edhe shfaqjet për fëmijë. Do të jenë dy premiera “Maçoku me çizme” dhe “Tomi, Jerry dhe Beni”.
Por, së pari vëmendja do të drejtohet tek dy komeditë, që do të nisin të shfaqen sot deri në fund të muajit shtator. Njëra prej tyre titullohet “Lagjja 45” dhe është një komedi ideuar nga Genti Bejko. Gjithçka ndodh në një lagje me shumë banorë, ku zien thashethemet, ku njerëzit kalojnë shumë kohë rreth gotës së alkoolit, ku lindin edhe histori dashurie që lakohen e stërlakohen nga gojët e të ngeshmëve… Dhe, në gjithë këtë kakofoni, gjëja më me mend është të jesh i kujdesshëm, sepse në lagje qarkullon një vrasës serial, i cili mund të jetë kushdo, edhe komshia përballë. Janë plot 13 aktorë, që interpretojnë dhe improvizojnë në këtë komedi situatash.
Ndërsa “Çdo të hënë në 13:30” është një pjesë vetëm rreth femrave, por që nuk mund t’i shpëtojë edhe vëmendjes së meshkujve. Pjesa është shkruar nga Sara Bogati, me regji të Renada Cacit, ku interpretojnë Erjola Meta, Flonja Kaba dhe Xheni Hallulli. “Çdo të hënë në 13:30” është “veshi pas derës”, ku janë mbledhur një grup femrash e, në mungesë të meshkujve, diskutojnë për burrat, karrierën, seksin, vetminë, rutinën…

© Panorama.al

Te lidhura