Ish-kryepolici Mit’hat Havari, ka rrëfyer peripecitë e përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit, sekretet e asaj kohe, thashethemet apo spiunimet që bëheshin dhe se si rekrutoheshin bashkëpunëtorët.
Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, foli në emisionin “Kjo Javë” në “News24”, me rastin e librit të tij “Dosja 41 71”, ku rrëfen edhe përndjekjet nga ish-Sigurimi i Shtetit.
“Nga ato që edhe kam gjetur te Autoriteti i Dosjeve, por edhe nga periudha e përjetuar, ka pasur njerëz dashakeqës. Dimitrovski, kishte qenë ish-oficer i Sigurimit të Shtetit. Gjomemo edhe ky më ka denoncuar, ndërsa këta tjerët nuk i konsideroj kanë qenë njerëz dashakeqës, të ligj për të përfituar një televizor “bardh a zi”. Këtu shkonte morali njerëzor i asaj kohe”, rrëfeu ish-kryepolici.
Ai dha edhe detaje nga përndjekjet të ish-Sigurimit të Shtetit, rrëfime që i ka përmbledhur edhe në librin e tij. Gjatë intervistës Havari ka treguar se si ish-Sigurimi i Shtetit kishte bashkëpunëtorë legalë dhe ilegalë, duke ndarë edhe disa nga pseudonimet e tyre.
“Bashkëpunëtorë të sigurimit me pseudonime, “pulti”, gëlqerja”, “dielli”, “zjarrmëtari”, ‘furra’, ‘kalaja’, ‘malësori’… Këto janë me emra, janë marrë nga autoriteti i dosjeve”, tregoi Havari.
Gjithashtu ai u shpreh se mes bashkëpunëtorëve, kishte edhe nga ata që nuk e besonte dhe mendonte kurrë se do ishin të tillë, bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Në këto 35 vite shqiptarët janë shthurur, janë shthurur edhe mendërisht. Kanë hedhur akuza të padrejta për njerëz që nuk kanë pasur lidhje”, tha ai i indinjuar, në lidhje me thashethemet që janë bërë ndër vite ndaj tij dhe të tjerëve.
Ish-kryepolici tregoi edhe një episod se si ishte miku i tij i cili i kishte nxjerrë emrin dhe në libër tregon kalvarin e vështirësive, se si ishte spiunuar se ai kishte thënë se “Qemal Stafën e vrau Enver Hoxha”.
“Është vetë dosja, jo vetëm një libër, përmbledhje e të gjithë asaj. Aktiviteti i degës së brendshme të Elbasanit sepse atje kam nisur aktivitetin. Për rrethanat e kohës kam kaluar situata të ndryshme nëpërmjet miqve të mi, nëpërmjet një piktori. Mendova që në atë kohë ishte hapur dosja, për mikun tim piktor. E dija që kishin njerëz që u shërbenin, bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, me pseudonime, ky pseudonimin e kishte “Furra”. Ai tha Sigurimit që Mit’hat Havari fliste që ushtar. Me atë kam qenë ushtar në Delvinë. Merakun e kam pasur. Në libër i kam të gjitha. Kur mora dosjen ajo është hapur në 26 prill në ’82 dhe është mbyllur në 21 shkurt ’91. Luan Sollakun e konsideroja mik, flisnim që të dy. Por unë isha më i avancuar. Ai ishte piktor kishte lëvizur nga Kruja dhe e kishin sjellë në Elbasan, shef të Bibliotekës, të klasës punëtore. Kur ai u arrestua më thirri shefi i hetuesisë së Krujës dhe një nga akuzat më të rënda, “unë i kisha thënë që “Enver Hoxha ka vrarë Qemal Stafën”, unë e mohova në mënyrë kategorike. Do mbrohesha. Por këtë e gjë e refuzova, dhe fillova të luaja me kohën, e kam shpjeguar edhe në libër. Me dashje apo jo miku im nxori emrin tim në evidencë”, tregon ai.
© Panorama.al












