Partia Demokratike ndodhet në kilometrin e fundit të misionit të saj, për të rrëzuar qeverinë e korruptuar të Edi Ramës dhe beteja do të nisë më 24 janar duke zënë sheshin para Kryeministrisë, duke mos e lëshuar deri në realizimin e qëllimit.
Kështu u shpreh kreu i PD-së, Sali Berisha para mbështetësve të tij në Foltoren e radhës sot në Tiranë, duke nënvizuar edhe guximin, energjinë dhe sakrificën e tyre.
“Jemi në kilometrin e fundit. Ne jemi në fund të misionit tonë. Edhe kur u përdor dhuna kundër PD-së, ajo nuk përdori dhunë. Ne kemi fituar çdo betejë pa dhunë, me kryengritje paqësore. Këtë herë kërkohet të mos lëshojmë sheshin deri në realizimin e qëllimit tonë”, tha ai mes të tjerash.
Lideri i opozitës apeloi për mbushjen e sheshit më 24 janar, pasi opozita është më e motivuar përballë pushtetit të përfshirë në skandale korrupsioni dhe lidhje kriminale.
Berisha tha se tani Ramën nuk ka më forcë që e mban në pushtet, pasi gjendet përballë guximit dhe energjisë së demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë.
“Vetëm njerëzit të cilët i besojnë të vërtetës e kanë të qartë të vërtetën, janë të vendosur të sakrifikojnë për të, të fitojnë, nuk humbasin kurrë. Të vërtetën edhe ne e kemi para, ta mbrojmë atë dhe jemi më të motivuar ta mbrojmë. Ndaj më 24 janar në Tiranë betejën tonë nuk do e ndërpresim më dhe Edi Ramën nuk ka më forcë që ta mbajë në pushtet para guximit tuaj dhe energjisë tuaj. Rrofshi ju, rroftë Tirana, rroftë Shqipëria”.
© Panorama.al













