“Të dorëhiqen edhe deputetët bashkë me Ramën”- Aktivisti: U munduan të na përçanin, diaspora e rëndësishme

Jul 13, 2026 | 15:17

Aktivisti dhe studenti Martinjo Myrtollari tha sot nga studio e “News24” se protesta popullore do e arrinte qëllimin e saj në largimin e qeverisë, pasi pushteti ishte trembur dhe kapur në befasi.

martinjo myrtollari

Ai nënvizoi se bashkë me kryeministrin Edi Rama duhet të dorëhiqen edhe deputetët, pasi kjo nuk është protestë vetëm për Zvërnecin, por edhe për kastën e vjetër politike dhe ligjvënësit.

Myrtollari e cilësoi të rëndësishme pjesëmarrjen e diasporës në protestën që hyn sot në ditën e 44-t dhe theksoi se ajo nuk do të ndalet, pavarësisht temperaturave të larta apo pushimeve.

“Diaspora është pjesë e rëndësishme e protestës sepse ata vijnë për të sjellë ndryshim, pasi në të kundërt ta ikin. Kanë 35 vite që ikin nga Shqipëria. Ata do të jenë, do të jenë prezent për të sjellë ndryshimin në këtë vend, ka shumë emra që duan të kthehen në Shqipëri, janë profesorë e studentë në Havard apo Oksford por që nuk kanë dashur protagonizmin. Qasja ime ndaj qeverisë ka qenë ironike, protesta ka dalë edhe jashtë parashikimeve të tyre. Ata kanë frikë ndaj reagojnë, ndaj le t’i japë një rrogë shtesë për shërbimet që ka bërë administrata. Madje edhe sot në Parlament kishte një seancë ku u kërkuar interpelancë për Zvërnecin dhe ata e rrëzuan me 72 vota, ndërkohë që detyra e tyre është të japin shpjegime për qytetarët”, tha Myrtollari.

Ai rrëfeu edhe për një mesazh që i kishte dërguar ministrit Blendi Gonxhe, teksa ky i ishte përgjigjur se qytetarët shqiptarë ishin shprehur me votë. Por për Myrtollarin qeverisja nuk është vetëm me një ditë llogaridhënie dhe se protesta kishte shkaktuar tashmë revolucion.

“Në një shkëmbim mesazhi me ministrin Gonxhe ia kujtova këtë, por ai tha se demokracia bëhet me vonë dhe do bëhet me votë, por llogaridhënia dhe qeverisja nuk është vetëm për një ditë, qytetarëve duhet të kenë shpjegime. Kjo protestë ka sjellë një revolucion, si në imazhin e shqiptarëve dhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, kjo protestë ka fituar, shqiptarët janë zgjuar. Jemi duke bërë diçka që nuk e dinim si do shkonte, por jemi në drejtimin dhe rrugën e duhur, përderisa edhe ata janë të trembur, janë frikësuar. Protesta ka sjellë ndryshim në mendësi”, vijoi aktivisti.

Myrtollari falënderoi edhe News24 për mbulimin e protestës nga dita e parë, ndërsa kërkoi edhe angazhimin e mediave të tjera.

“Përkrahja e mediave, si e Newës24, ka rëndësi, nëse ajo bëhet e gjitha krah dhe shkon në rrugën e duhur, atëherë ndryshimi vjen më shpejt. Falenderoj televizionin Neës24 për përkrahjen e dhënë që nga dita e parë, mendoj se media është me rëndësi për këtë protestë”, tha ai.

Por për aktivistin, nuk duhet të dorëhiqet vetëm Rama, por edhe deputetët, integriteti i të cilëve ka rënë, ndërsa në mënyrë simbolike qytetarët i godasin me vezë dhe miell:

“Situata jashtë Parlamentit atë ditë ndodhi për të mbuluar atë që po ndodhte brenda, ku u kalua një ligj për SHISH-in. Por ata nuk po e kuptojnë ende këtë protestë që ka arritur në ditën e 44-t. Shohim çdo ditë mijëra njerëz në shesh me parulla dhe pankarta, jo vetëm për Zvërnecin, por për të shprehur revoltën ndaj politikës shqiptare dhe ndaj atij Parlamenti. Çdo ditë në protestë gjen një arsye për të ardhur në ditën tjetër. Kërkesa kryesore është dorëheqja dhe ajo nuk duhet kërkuar vetëm ndaj kryeministrit, por edhe deputetëve. Simbolika më e bukur ishte dita kur u rrethua Kryeministria. Ne jemi shumë afër fitores dhe për këtë jam i bindur. Edhe simbolika e goditjes së deputetëve me vezë ishte shumë e bukur. Unë mendoj se ata deputetë që qëllohen me vezë duhet të dorëhiqen, sepse është një ulje e integritetit të tyre, ishte simbolikë shumë e bukur”.

Aktivisti deklaroi se shumë ishin përpjekur ta shuanin protestën dhe ta përçanin, por pa sukses, teksa gëzojnë edhe mbështetjen e BE-së.

“U munduan ta shuanin dhe ta ndalnin atë protestë por është e pamundur që në këtë fazë ajo të shuhet apo të përçahet. Asnjë kryeministër se jep dorëheqjen apo ta deklarojë 2-3 muaj para. Gjithmonë ka ndodhur në një moment të papritur. Edhe eurodeputetët e BE-së na mbështesin, na kanë thënë se qeveria s’mund të kalojë ligjet që do vetë dhe duhet t’i bindet qytetarëve”, tha ai.

Myrtollari bëri një koment edhe për koncertin e fundjavës të këngëtarit Kanye West dhe shpenzimin e 4,2 mln eurove nga buxheti i shtetit prej qeverisë, që e cilësoi skandaloze.

“Janë shitur vetëm 25 mijë bileta nga 60 mijë bileta që u deklaruan. Patjetër që ishin me bileta falas, kanë qenë kryesisht administrata. Shifër  frikshme për një koncert privat, një shifër e frikshme”, tha ai.

Dhe më tej shpjegoi se:

“Asnjë nga protestuesit nuk kishin probleme me këngëtarin, por me PR që u bë nga kryeministri dhe ministrat. Më çdo vend të botës e bëjnë kompanitë organizuese dhe miqtë dhe asistentët. U bënë shkrime qesharake me AI në faqen e Kanye West. Problemi qëndron në faktin se politika tha se do t’i fusë hundët edhe atje ku nuk i takon. Koncerti jo vetëm që nuk ka sjellë fitim, por me minus”.  

© Panorama.al

Te lidhura