“Minjtë e Parlamentit kanë nevojë për mbrojtje”- Goxhaj kallëzon në SPAK kryepolicin Hita, shkak hetimi i ‘review’-ve: Pa bazë ligjore, cenohet liria e shprehjes!

Jul 13, 2026 | 15:30

Aktivistë dhe qytetarë u mblodhën sot para SPAK-ut për të depozituar kallëzimin e radhës dhe përcjellë shqetësimet e tyre për veprimet e Policisë së Shtetit.

altin goxhaj spak

Avokati Altin Goxhaj deklaroi se ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj Drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe përndjekje të paligjshme të qytetarëve.

Goxhaj tha se veprimet e Policisë pas identifikimit të mijëra llogarive në rrjetet sociale, të cilat kishin publikuar vlerësime negative ndaj bizneseve, nuk mbështeten në një bazë të qartë ligjore dhe cenojnë lirinë e shprehjes.

“Jemi një grup qytetarësh dhe panë se Parlamenti ishte plot me policë, kjo tregon se minjtë kanë nevojë për mbrojtje. Jemi kthyer në acid që po tresim këtë pushtet nga brenda. Edhe këtë javë bënë një koncert për reklamë, por i bënë protestës. Edhe në rastin e Skënder Hitajt donin të na bënin gropën por ia bënë vetes. Jemi përballë një zari të sistemit, i Belinda Ballukut. Tha se do të ndiqte 10 mijë qytetarë se kishin bërë reviw në faqen e hoteleve, kjo është shkelje klasike që na kujton shprehjen e Enver Hoxhës: Ligjet tona do të na pengojnë?”, tha Goxhaj mes të tjerash.

Ai shpjegoi se kishte sjellë edhe prova, teksa kërkoi ndjekje penale për shpërdorim detyre ndaj kryepolicit dhe të tjerëve, në lidhje me pretendimet e tyre për goditjet me vlerësime negative të bizneseve dhe hetimeve të nisura.

“Kam sjellë një provë zyrtarë të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Hitaj pretendoi se 10 mijë qytetarët kishin shkelur nenin 143/b. Ai pretendon se prokuroria ka nisur hetim dhe për shpifje, personi që pretendon se është shpifur për të vjen në gjykatë dhe jo në prokurori. Luca duhej të vinte në gjykatë. Kërkojmë kallëzim për shpërdorim detyre për Hitën dhe nisjen e hetimit, kërkojmë urdhrin për verifikim që ka paraqitur Hita, aktet mbi të cilat janë verifikuar 10,000 të dhënat”, tha Goxhaj.

© Panorama.al

Te lidhura