Të ardhurat, janari i 2011 më i keq se sa janari 2010, dështoi pushteti vendor

Mar 17, 2011 | 10:47

Të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2011, edhe pse të lakuara si me një realizim shumë të përafërt me planin, rezultojnë më të ulëta se viti 2010. Në fakt, për këtë shifër ka ndikuar mosrealizimi i të ardhurave nga pushteti vendor. Nëse për vitin 2010 realizimi i të ardhurave nga pushteti vendor për muajin janar ishte 1 miliardë lekë, për vitin 2011 realizimi i të ardhurave nga ky pushtet për janarin është 850 milionë lekë. Rënie e nivelit të të ardhurave vihen re në dy nga tre komponentët që përbëjnë të ardhurat e pushtetit vendor si për taksën mbi biznesin e vogël, ashtu dhe për taksën lokale. Të dy zërat kanë shënuar rënie krahasuar me një vit më parë. Kështu, nëse për vitin 2010 të ardhurat nga taksa mbi biznesin e vogël ishin 328 milionë lekë, për këtë vit këto të ardhura janë 312 milionë lekë. Po kështu edhe për të ardhurat nga taksat lokale; nëse për vitin 2010 të ardhurat për taksat lokale ishin 674 milionë lekë, për vitin 2011 këto të ardhura ishin 456 milionë lekë. Ndërkaq, rënie krahasuar me vitin 2010 ka pësuar edhe zëri i të ardhurave jotatimore, i cili për janarin e vitit 2011 shënon një realizim prej 3.3 miliardë lekësh, ku pothuajse gjysmën e kësaj e bën vetëm transferta e fitimit nga Banka e Shqipërisë, kurse në janar të vitit të kaluar të ardhurat jotatimore ishin 5.1 miliardë lekë dhe transferta e fitimit të Bankës së Shqipërisë është zero. Shumica e këtyre të ardhurave në vitin 2010 i takon përcaktimit “të tjera”.

© Panorama.al

Te lidhura