Ajo do të vendoset brenda këtyre dy ditëve në një udhëzim të posaçëm të Ministrisë së Arsimit. Kreu i këtij dikasteri firmosi dje urdhrin që reflekton ndryshimet që i bëhen rregullores së maturës. Sipas burimeve pranë MASH-it, mandat-pagesa e tarifës do të dorëzohet në shkolla bashkë me formularin A2, të cilin maturantët do ta plotësojnë brenda datës 30 korrik. Në rregulloren e mëparshme, tarifën e paguanin të gjithë ata maturantë që do të jepnin lëndët me zgjedhje. Pra, mandat-pagesa do të dorëzohej bashkë me formularin A1. Me këtë ndryshim, Ministria e Arsimit pritet të grumbullojë më shumë të ardhura, pasi minimalisht në universitetet publike do të konkurrojnë 40 mijë kandidatë. Ndërsa me vendimin e mëparshëm, tarifën nuk do ta paguanin të gjithë ata kandidatë që kanë dhënë tashmë provimet me zgjedhje dhe u njihen rezultatet. Po kështu, në të njëjtin urdhër, Ministria e Arsimit ka hequr tre nene të rregullores. Dy të parët kanë të bëjnë me procedurën e regjistrimit në provimet e lëndëve me zgjedhje dhe tarifën që duhej paguar. Është hequr gjithashtu edhe pika 7 e nenit 34, që ka të bëjë me llogaritjen e notës së maturantëve që vijnë nga jashtë. “Në rastet kur komisioni vlerëson se dokumentet shkollore të shtetasve shqiptarë të përmendur në pikën 34.1 nuk dëshmojnë dhënien e provimeve ekuivalente me Maturën, ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2”, thuhej në nenin 34, që tashmë nuk është në fuqi. Ndërkohë, nesër është afati i fundit i dorëzimit të formularit A1 në shkolla. Tashmë pjesa më e madhe e maturantëve e kanë plotësuar, ndërsa janë ende në kohë të gjithë ata që nuk kanë caktuar ende lëndët me zgjedhje. Pas 10 marsit, nxënësit nuk kanë të drejtë të bëjnë ndryshime të tjera në formularin A1. Për kandidatët që kanë mbaruar para vitit 2011, drejtori i shkollës ngarkon një mësues, që do të luajë rolin e mësuesit kujdestar, e që do të ndihmojë në hedhjen e të dhënave për notat e detyruara si dhe mesataren. Më shumë probabilitet për t’u shpallur fitues në universitete do të kenë ata maturantë që do të përcaktojnë për provimet me zgjedhje lëndë të ngjashme me profilin e shkollës së mesme, që kanë mbaruar. Kjo, pasi në procesin e llogaritjes së rezultatit final, vlera e koeficienteve do të jetë më e lartë për degët e të njëjtit profil me llojin e shkollës së mesme, sesa ato me natyra të ndryshme. I gjithë procesi i maturës do të mbyllet brenda datës 30 qershor. Në këtë datë, maturantët do t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Dy provimet e detyruara do të jepen përkatësisht më 1 dhe 15 qershor. Nga sa bën me dije MASH-i, formulari A2, ku zgjidhen 10 preferencat për në shkollat e larta, plotësohet deri në 30 korrik. “Kjo masë është ndërmarrë, në mënyrë që kandidatët për në shkollat e larta të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve, përpara se të aplikojnë për në universitet. Vetëm duke ditur notat e 4 provimeve, ata do kenë një ide të qartë se sa pikë grumbullojnë dhe ku kanë shanse për të fituar”, sqarojnë specialistët e ministrisë.
ZIRINA LLAMBRO











