KORÇË – Procesi gjyqësor për vrasjen e taksistit Fredi Talelli, që u vra nëntorin e vitit të kaluar, është shtyrë që në seancën e parë. Ndërsa toga e shoqërimit solli në gjykatë 6 personat e akuzuar si të përfshirë në këtë vrasje, vetëm pak minuta më pas u angazhuan për rikthimin e të pandehurve në izolim në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë. Shkak për dështimin që në nisje të këtij procesi gjyqësor është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës. Asnjë prej avokatëve të 6 të pandehurve nuk është paraqitur në sallën e gjyqit, çka bëri që gjyqtari i çështjes të vendosë shtyrjen për një datë tjetër. Të pandehur për vrasjen e taksistit Fredi Talelli, nga fshati Pilur i rrethit të Devollit, janë shtetasit Arnest Xhaçka dhe Elkjero Revani, nga qyteti i Bilishtit, si autorët kryesorë të krimit, si dhe katër të tjerë; Domeniko Kumria nga Elbasani, Jurgen Zeqo, Kastriot Papleka dhe Amarildo Selmani nga Lezha. Ky grup prej 6 personash u arrestua në muajin nëntor të vitit të kaluar, një javë pas zhdukjes së taksistit Talelli. Zbulimi i krimit erdhi pasi mjeti i taksistit u gjend i hedhur në afërsi të Elbasanit, në një nda degët e lumit Shkumbin. Pas hetimeve u arrit shumë shpejt të gjendet edhe trupi i taksistit të vrarë, diku pranë fshatit Koritë të rrethit të Korçës. Personat nga Lezha u arrestuan për fshehje të provave, pasi kanë bashkëpunuar për të zhdukur targën e makinës apo armën dhe sende të tjera me të cilat u vra taksisti. Dosja hetimore fillimisht është përgatitur nga policia e Elbasanit dhe më pas u transferua në Prokurorinë e Korçës, meqenëse në këtë rreth ndodhi edhe vrasja. Akuza për vrasjen në bashkëpunim të taksistit rëndon mbi dy të rinjtë nga qyteti i Bilishtit që e morën me pretendimin se do të udhëtonin, por më pas e vranë atë për ta grabitur. g.a











