
Në ditën e tretë të fushatës elektorale, kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, është takuar me banorët e njësitë nr. 5.Mungesa në insfrastrukturë, mungesa e hapësirave publike për çlodhje dhe argëtim, taksat e larta lokale, trafiku, mungesa e parkingjeve, ishin problemet që banorët e njësisë bashkiake numër 5 ndanë dje me Bashën. Njësia bashkiake 5 në Kryeqytet, ka një problematikë të rënduar për shkak të dendësisë së lartë të popullsisë. Lulzim Basha, kandidat për kryebashkiak në Tiranë i dëgjoi nga afër shqetësimet e banorëve në lagjet e kësaj zone të qytetit. Hallet janë të ndryshme, por qytetarët bashkohen në mendimin dhe konstatimin e tyre se taksat lokale që ata i paguajnë bashkisë janë të larta. “Taksat lokale janë shumë të larta, të papërballueshme, po rregulluat këtë, keni bërë një punë të madhe” i tha Bashës një banor i zonës. Një banor tjetër i ka kërkuar kandidatit demokrat për bashkinë e kryeqytetit të ketë përparësi sigurimin e rrugëve dhe trotuareve. “Rregulloni diçka në këtë qytet, sepse do na vrasin makinat”, ishte shqetësimi i banorit të njësisë 5. Përfaqësuesit e biznesit të vogël u ankuan edhe për arbitraritetin që tregon administrata e bashkisë në vendosjen e gjobave. Disa banorë të tjerë thanë se ka probleme të mëdha me infrastrukturën dhe me mungesën e hapësirave. Ndërsa të tjerë u ankuan për fasadat e pallateve, duke thënë se kanë frikë të kalojnë në trotuar, se mund t’u bjerë në kokë ndonjë objekt nga lart. Një shqetësim permanent mbetet trafiku dhe mungesa e vendeve për parkim. Gjatë ditës së tretë të fushatës, Basha takoi dhe fëmijë e të moshuar, që vuajnë shumë mungesën e hapësirave të gjelbra, duke mos pasur kështu mundësi argëtimit. Ashtu si dhe në ditët e para të fushatës nuk mungojnë mbështetjet për kandidatin Lulzim Basha. “Jemi të bindur se do të fitoni dhe keni mbështetjen tonë”, i thanë Bashës banorë të njësisë bashkiake numër 5 në kryeqytet.
Shalsi
Pas vizitës së Bashës në njësinë 5, ka reaguar deputeti i Tiranës Eduard Shalsi. “Na vjen mirë që po fillon të njohë rrugët e Tiranës”, – më thonë banorët – por të paktën të mos tallet me ne me ato që thotë, se duket sikur vjen nga një planet tjetër”. I qetësova banorët duke u thënë të mos ia vënë re se Luli s’di se çfarë thotë e aq më pak se çfarë bën. I thotë Saliu, thuaj se do të punësojë 30 000 vetë në Tiranë, dhe ai pa e menduar, e thotë, ndërkohë që Saliu i tij e ka zhytur vendin në papunësi”, u shpreh deputeti i PS-së.
Programi
“Bashkia do të angazhohet për një program që synon shpëtimin e sipërfaqeve të gjelbërta nga prishja dhe rehabilitimin e shpejtë të tyre. Gjithashtu, Bashkia do të ndërtojë parqe të vogla dhe zona apo qendra argëtuese në shumë nga zonat e qytetit ku ekzistojnë ende hapësira të lira. Përmes investimeve publike, por edhe partneritetit publik-privat, ne do të rrisim cilësinë dhe kapacitetet çlodhëse dhe argëtuese të Parkut të Madh të Liqenit, të Parkut të Dajtit, si dhe do të investojmë për zona të mëdha të gjelbërta, çlodhëse dhe argëtuese ne territoret e bashkive e komunave fqinje”, u shpreh Basha gjatë prezantimit të programit.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











