Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, bashkë me delegacionin e bisedimeve, mbërriti dje në Bruksel për raundin e gjashtë të dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE. Sipas zyrtarëve europianë, kësaj radhe do të diskutohet njohja e vulave të doganave të Kosovës, telekomunikacioni, energjia, kadastrat dhe bashkëpunimi rajonal. Pritet që të diskutohet edhe intensifikimi i punës për tri marrëveshjet e arritura më parë mes dy palëve. Këto çështje duhej të diskutoheshin në takimin e 20 dhe 21 korrikut 2011, i cili dështoi pasi pala serbe refuzoi njohjen e vulave të doganave të Kosovës. Sipas një të përditshmeje të Serbisë, “Novosti”, Beogradi do të pranojë vulën “Dogana e Kosovës”, e cila nuk mban as termin “Republikë” dhe as simbole të Kosovës. Ndërsa për katër nga çështjet e lartpërmendura është diskutuar edhe më parë, për bashkëpunimin rajonal po diskutohet për herë të parë. Temat u përzgjodhën pas diskutimit me ndërmjetësin e dialogut, Robert Kuper, i cili dy ditë më parë u takua në Prishtinë me Edita Tahirin, pasi përfundoi një vizitë në Beograd. Sa i përket kreut të delegacionit serb për bisedimet, Borisllav Stefanoviç, para se të nisej për në Bruksel, ai zhvilloi takime me serbët e Veriut të Kosovës, në Zveçan. Sipas mediave lokale, temë e bisedimeve në Zveçan mësohet të ketë qenë situata politike dhe e sigurisë, si dhe hapat e ardhshëm në dialogun Prishtinë-Beograd. “Kemi diskutuar edhe mundësitë e zgjidhjes së mëtejshme të krizës, si dhe mundësitë për ruajtjen e qetësisë dhe të stabilitetit. Serbia, ashtu siç e kam thënë disa herë, mbështet veprimet që kanë për qëllim hetimin e krimeve, në përputhje me Rezolutën 1244 dhe me qëndrim neutral ndaj statusit”, tha ai . Stefanoviç siguroi se “Serbia do të bëjë gjithçka të mundur për të ruajtur paqen, e cila nuk duhet të arrihet në mënyrë të dhunshme”.











