Tafili në Gjykatë, rrethohet Shkodra

Mar 22, 2011 | 9:32
Forcat e policisë pranë Gjykatës së Shkodrës, ku po zhvillohej masa për Admir Tafilin

Qyteti i Shkodrës rrethohet nga policia. Mbërritja në Gjykatë e vrasësit të dy vëllezërve Pjetrushi, Admir Tafili, është shoqëruar me gjendje gatishmërie maksimale nga uniformat blu.Me gjithë akuzën për vrasjen e dyfishtë të së dielës, prezenca e tij në Gjykatën e Shkodrës nuk kishte lidhje me krimin e dyfishtë, por për t’i komunikuar masën e sigurisë “arrest me burg”, marrë nga e njëjta gjykatë 4 tetorin e vitit të kaluar. Në masa të rrepta sigurie, mëngjesin e së hënës, Gjykata e Rrethit Shkodër ka bërë verifikimin e masës së sigurisë ndaj Admir Tafilit në lidhje me veprën penale, atë të largimit nga vendi i kryerjes së dënimit. Kjo ngjarje ndodhi më 2 tetor të vitit të kaluar, kur drejtuesit e burgut të Shënkollit i dhanë leje Admir Tafilit dhe vëllait të tij, Gencit, që të ktheheshin në banesë për të parë familjarët. Gjatë kësaj lejeje prej disa orësh, Genc Tafili u kthye në burg, ndërsa i vëllai u arratis për të qëndruar i fshehur deri pasditen e së premtes, pas vrasjes së Nikë dhe Gjovalin Pjetrushit.
Transporti i Admir Tafilit nga Burgu 313 në Tiranë për në Gjykatën e Shkodrës është bërë në ruajtje ekstreme. Që prej mbrëmjes së të dielës mësohet se  është ushtruar kontroll në banesat përreth Gjykatës, për elementë të dyshimtë, nga frika e ndonjë atentati të mundshëm ndaj Tafilit. Ndërsa mëngjesin e djeshëm, forca të shumta të policisë kanë bllokuar lëvizjen e automjeteve në aksin rrugor të Gjykatës, ndërkohë që edhe qarkullimi i qytetarëve të ndryshëm ka qenë i kufizuar. Kjo situatë ka vazhduar deri në përfundimin e seancës gjyqësore në ngarkim të Admir Tafilit, i cili është njohur me verifikimin e masës së sigurisë. Seanca gjyqësore në ngarkim të Admir Tafilit është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur vetëm 40 minuta. Gjatë kësaj seance, trupi gjykues, i kryesuar nga Irida Kacerja, ka marrë të dhëna mbi gjeneralitetet e të ndaluarit Tafili, i cili është përfaqësuar nga një avokat i gatshëm, caktuar nga Dhoma e Avokatisë Shkodër. Në lidhje me arratisjen e tij, Tafili ka rikonfirmuar edhe një herë që një veprim të tillë ai ka qenë i detyruar ta bëjë për të marrë hakun e të atit, Bahri Tafili, sipas tij vrarë në mënyrë të qëllimshme. “Këtë veprim timin kam qenë i detyruar ta bëj vetë pasi shteti nuk mori asnjë masë në vendosjen e drejtësisë”, mësohet të këtë thënë në fjalët e tij Admir Tafili para trupit gjykues. Në lidhje me dy vrasjet e ditës së premte, kur shtetasit Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi mbet ën të vrarë dhe si autorë i këtyre dy vrasjeve dyshohet të jetë Admir Tafili, nuk është thënë asnjë fjalë në këtë seancë gjyqësore, pasi nuk ishte pjesë e këtij procesi. Pritet që një seancë tjetër në ngarkim të shtetasit Admir Tafili të zhvillohet një tjetër ditë, por akoma nuk dihet se në kompetencë të cilës gjykatë do të jetë kjo çështje: Shkodrës, apo Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. Ajo që dihet është se seanca e radhës do të përshkohet nga e njëjta gjendje rrethimi për çdo të papritur.

Gratë e fëmijët e Tafilëve të ngujuar, ruhen prej 4 ditësh me policë

E ndërkohë që policia kishte marrë masa ekstreme për ruajtjen nga ndonjë të papritur ndaj Admir Tafilit, masa mbrojtëse janë marrë edhe për familjen Tafili. Bëhet fjalë për gratë dhe fëmijët e kësaj familjeje, që ndodhen në banesën e tyre në periferi të qytetit të Shkodrës, në lagjen “Udhakryq”, pasi të dy djemtë e kësaj shtëpie tashmë ndodhen në burg. Që nga dita e premte kur ka ndodhur vrasja e dy vëllezërve Pjetrushi, drejtuesit e policisë së Shkodrës, në planin e masave të tyre kanë vendosur marrjen nën mbrojtje të grave dhe fëmijëve të familjes Tafili. Që nga ajo ditë, përveç patrullave të lëvizshme, aty është instaluar edhe një furgon me një grup të gatshëm, i cili ndërrohet çdo 6 orë. Efektivët e këtyre shërbimeve kanë për detyrë mbajtjen nën mbikëqyrje dhe ruajtjen ndaj çdo kërcënimi të mundshëm të tyre. Megjithatë, askush nuk  është në gjendje të pohojë se deri kur do të vazhdohet kështu. Mësohet se asnjë nga personat që ndodhen në shtëpi nuk del në rrugë. Madje edhe furnizimet me ushqimet e domosdoshme atyre ua bëjnë disa fqinjë që kanë një lloj lidhje familjare me ta.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura