“Nxënësit e kanë vetë në dorë. Por ju garantojmë të gjithëve se cilido maturant që do të kapet me kopje në testim, do të penalizohet sipas të gjitha rregullave tashmë të përcaktuara”.Këtë deklaratë bëri dje ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai u shpreh se do të ketë një proces të rreptë e transparent. “Nëse përjashtoheni nga provimi për kopjim, humbisni këtë provim dhe të drejtën për të marrë pjesë në provimet pasardhëse për sesionin e këtij viti. Këto provime mund t’i jepni vetëm vitin e ardhshëm shkollor”. Kështu ka vendosur Ministria e Arsimit. Ky rregull aplikohet për herë të parë këtë vit, ndaj nxënësit duhet të bëjnë kujdes, pasi kopjet do t’u kushtojnë jo vetëm humbjen e së drejtës për në universitet, por do të marrin nota jokaluese në të 4 provimet e maturës. “Rregullat do të zbatohen me rigorozitet jo vetëm për nxënësit, por nuk do të mungojnë penalizimet e forta edhe për administratorët”, është shprehur Tafaj. Nga sa është bërë me dije dhe më parë, pas vlerësimit të testeve, në “sitë” do të jenë edhe mësuesit. Nëse notat e provimeve të maturës kanë një diferencë të thellë nga notat që një maturant ka marrë gjatë viteve të gjimnazit, përgjegjësia do bjerë mbi mësuesit. Nëse ky fenomen do jetë masiv në qindra nxënës, ata bashkë me drejtuesit e shkollave do të lënë vendin e punës. Ministria e Arsimit paralajmëron për penalizime të forta. Nisur nga eksperiencat e viteve të kaluara, ku shkolla në rrethe të vogla dolën me rezultate shumë herë më të larta se gjimnazet e Tiranës, procesi i Maturës Shtetërore do të jetë një lloj vlerësimi edhe për arsimtarët. Ka pasur raste më parë kur në një shkollë të caktuar, rezultatet e maturantëve kanë dalë shumë më të larta se niveli real dhe kjo për shkak të rrjedhjeve të mundshme të informacionit. Për këtë janë marrë masa dhe penalizime deri në nivel drejtuesish. Po kështu e kundërta. Rezultatet e maturantëve në vitet e gjimnazit kanë qenë shumë të larta, por ndërkohë në provimet e maturës, ata janë paraqitur shumë dobët.
Saktësia e vlerësimit
Për të rritur saktësinë e vlerësimit të testeve, janë marrë masa që çdo përgjigje testi t’i nënshtrohet vlerësimit të dyfishtë. Testet kodifikohen dhe shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 10 ditë, pas çdo provimi të maturës. Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar, nuk duhet të dalin nga klasa. Maturantët nuk hyjnë në provim, nëse nuk janë në listat e AVA-s, apo nëse nuk kanë mjet identifikimi. Ata gjithashtu nuk do të lejohen të nisin testimin, në rast se kanë telefon celular me vete, apo çdo mjet tjetër identifikimi.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











