Tadiç: Do të zgjidh konfliktin historik

Mar 28, 2011 | 11:51

Sot në Bruksel nis faza e dytë e dialogut mes delegacionit kosovar dhe atij serb, për të zgjidhur çështjet teknike mes dy vendeve. Por Presidenti serb, Boris Tadiç, beson se pas çështjeve teknike duhet të zgjidhen edhe çështje më të rëndësishme. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, beson se dialogu do të përfundojë me njohjen reciproke të sovranitetit të të dy vendeve, Serbisë dhe Kosovës, Presidenti i Serbisë ka deklaruar se çdo “marrëveshje në lidhje me Kosovën, duhet të qëndrojë në realitetin në terren, se shqiptarët kurrë nuk do ta pranojnë sovranitetin e Serbisë, ashtu sikur edhe serbët e veriut kurrë nuk do ta pranojnë sovranitetin e Kosovës”. Dje, në Forumin e Brukselit mbi “Përafrimin e Ballkanit në BE”, Tadiç ka thënë se për shkak të këtij realiteti në Kosovë, dialogu Prishtinë-Beograd ka nisur për çështje teknike-praktike, të cilat do të lehtësojnë jetën e përditshme, për të ardhur deri te zgjidhja e çështjeve të vështira. I pyetur se çfarë do të bëjnë që serbët të ndihen “si në shtëpi”, Tadiç tha se “nëse i pyesni serbët a janë kosovarë, ata do t’ju thonë: nuk jemi, ne jemi serbë”. Tadiç zotohet se do të zgjidhë konfliktin historik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. “Serbia po përpiqet që të zgjidhë me kompromis problemin historik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, i cili është i vjetër 100 vjet, në mënyrë që të mos ndodhë që njëra palë të fitojë të gjitha dhe tjetra t’i humbë të gjitha”, tha Tadiç.

© Panorama.al

Te lidhura