Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se qeveria është detyruar nga presioni qytetar të rikthejë një propozim të saj për rritjen e mbështetjes financiare ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve që kujdesen për ta.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se pagesa minimale për një fëmijë me aftësi të kufizuara është vetëm 5,700 lekë në muaj, ndërsa pagesa për një prind kujdestar arrin në 14 mijë lekë.
“5,700 lekë është pagesa minimale për një fëmijë me aftësi të kufizuara. Sa 30 bukë në muaj. Ndërsa pagesa për një prind që kujdeset për një fëmijë me aftësi të kufizuara është vetëm 14 mijë lekë. Të dyja janë garanci vetëm për mbijetesën”, shprehet Tabaku.
Deputetja e PD kujton se vitin e kaluar depozitoi në Kuvend një nismë ligjore, të hartuar edhe mbi historitë e Mirës dhe Jonës, për dyfishimin e pagesave minimale dhe maksimale për personat me aftësi të kufizuara.
Sipas saj, propozimi parashikonte gjithashtu njohjen si vite pune të periudhës së përkujdesjes dhe pagesën e sigurimeve shoqërore për prindërit që detyrohen t’i përkushtohen tërësisht kujdesit ndaj fëmijëve të tyre.
“E morën dhe e hodhën në kosh me arrogancë. E refuzuan. Sot e kanë nxjerrë nga sirtarët, e kanë kopjuar dhe, përmes ndryshimeve në buxhet, e kanë sjellë si propozim të tyre”, deklaron Tabaku.
Ajo argumenton se ndryshimi i qëndrimit të qeverisë nuk lidhet me ndjeshmërinë sociale, por me presionin e protestave dhe frikën nga humbja e pushtetit.
“Mos mendoni se po e bëjnë nga simpatia apo empatia. Po e bëjnë nga frika e humbjes së pushtetit dhe nga presioni që protesta ka ushtruar mbi qeverinë”, thekson deputetja demokrate.
Tabaku e cilëson këtë vendim si provë se bashkimi dhe presioni qytetar mund ta detyrojnë qeverinë të tërhiqet dhe të pranojë propozime që më parë i kishte refuzuar.
“Fuqia, bashkimi dhe presioni i qytetarëve e kanë detyruar qeverinë të marrë këtë vendim. Ky është një shembull se vetëm duke qenë bashkë mund ta rrëzojmë këtë sistem. Prandaj sot, më shumë se kurrë, në shesh”, përfundon Tabaku.
Reagimi i plotë:
5,700 lekë është pagesa minimale për një fëmijë me aftësi të kufizuara. Kaq. Asgjë më shumë. Sa 30 bukë në muaj.
Ndërkohë, pagesa për një prind që kujdeset për një fëmijë me aftësi të kufizuara është vetëm 14 mijë lekë në muaj. Kaq. Asgjë më shumë. Gjysma e minimumit jetik.
Të dyja këto pagesa janë garanci vetëm për mbijetesën. Asgjë tjetër.
Vitin e kaluar, bazuar mbi historinë e Mirës dhe të Jonës, propozova një ligj që e dyfishonte këtë pagesë, si atë minimale, ashtu edhe atë maksimale. Propozimi njihte si vite pune periudhën e përkujdesjes dhe parashikonte pagesën e sigurimeve shoqërore për të gjithë prindërit që kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara.
E morën dhe e hodhën në kosh me arrogancë. E refuzuan.
Sot e kanë nxjerrë nga sirtarët, e kanë kopjuar dhe, përmes ndryshimeve në buxhet, e kanë sjellë si propozim të tyre.
Mos mendoni se po e bëjnë nga simpatia, nga empatia apo nga nevoja për të mbështetur këtë grup. Po e bëjnë nga frika e humbjes së pushtetit dhe nga presioni që protesta ka ushtruar mbi qeverinë.
Mbajeni mend: fuqia, bashkimi dhe presioni i qytetarëve e kanë detyruar qeverinë të marrë këtë vendim, ashtu si edhe shumë vendime të tjera.
Ky është një shembull se vetëm duke qenë bashkë mund ta rrëzojmë këtë sistem. Vetëm duke ushtruar presion, bashkë, të gjithë.
Prandaj sot, më shumë se kurrë, në shesh!
© Panorama.al












