NGA EDUARD HALIMI
Në Republikën tonë, sistemin tonë kushtetues, sovraniteti i takon popullit. Neni 2 i Kushtetutës qartazi sanksionon: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i takon popullit. Populli e ushtron sovranitetin e tij përmes përfaqësuesve të tij ose DREJTPËRDREJT.”
Mijëra njërëz po protestojnë për më shumë se 35 ditë rresht duke e bërë këtë protestën më të madhe, më të gjatë e më të bukur të historisë në Republikën tonë . Por a përbën kjo protestë një formë të drejtpërdrejtë të ushtrimit të sovranitetit dhe një mekanizëm plotësues kushtetues? A duhet një reagim proporcional ndaj saj nga elita politike? Në javët e fundit pushteti ka refuzuar t’u përgjigjet kërkesave për llogaridhënie, si në tërësi, ashtu edhe për pjesë të caktuara të tij.
Mazhoranca dhe shumë analistë pranë saj kanë deklaruar prerazi se, meqenëse kanë fituar 86 mandate parlamentare, nuk ekziston asnjë arsye për të pranuar kërkesa për përgjegjësi politike apo edhe për dorëheqje. Në fund të fundit, thonë ata, “ju vetë votuat; prisni fundin e mandatit në 2029”
Por ky është një interpretim formalist dhe tepër i ngushtë i rendit kushtetues. Pyetja më e thellë që kërkon përgjigjie është tjetër: a mjafton mandati elektoral për të mbyllur çdo debat mbi legjitimitetin e vazhdueshëm të ushtrimit të pushtetit? A pushon llogaridhënia ditën pas zgjedhjeve? Apo sovrani ruan të drejtën të kërkojë përgjegjësi edhe gjatë mandatit, sidomos kur dalin në dritë skandale serioze ose pretendime të besueshme për abuzim me pushtetin, si ato të denoncuara së fundmi nga kryetari i grupit parlamentar të opozitës, dhe nga qytetarët në protestat e zhvilluara në Tiranë dhe jashtë vendit?
Është e vërtetë se Kushtetuta nuk parashikon një mekanizëm sipas të cilit protestat në rrugë detyrojnë juridikisht dorëheqjen e Kryeministrit. Në një republikë parlamentare, qeveria jep llogari para Kuvendit përmes interpelancave, komisioneve hetimore, mocioneve të mosbesimit dhe mekanizmave të tjerë kushtetues.
Por kjo nuk do të thotë se sovrani hesht për katër vjet dhe çohet në cep të ringut! Sovraniteti popullor nuk është një akt që ushtrohet vetëm ditën e zgjedhjeve dhe më pas “ngrin” deri në zgjedhjet e ardhshme. Ai është i vazhdueshëm. Kur një numër i konsiderueshëm qytetarësh, qindra mijëra, shpreh për një kohë të gjatë, në mënyrë paqësore dhe të përsëritur, pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës së ushtrimit të pushtetit, kjo përbën një formë të drejtpërdrejtë të ushtrimit të sovranitetit dhe një mekanizëm plotësues kushtetues llogaridhënieje.
Liria e tubimit paqësor, e garantuar nga Kushtetuta dhe nga European Convention on Human Rights, nuk është vetëm një e drejtë individuale; ajo është edhe një kanal përmes të cilit sovrani i kujton pushtetit politik se autoriteti i tij është i deleguar, i përkohshëm dhe i kushtëzuar nga respektimi i ligjit. Liria e tubimit paqësor është një nga themelet e një shoqërie demokratike dhe se autoritetet shtetërore kanë jo vetëm detyrimin të mos e pengojnë atë, por edhe detyrimin pozitiv për ta mbrojtur, duke reaguar gjithmonë në mënyrë proporcionale. Në këtë kuptim, protestat paqësore nuk janë kundër Republikës Kushtetuese; ato janë një mekanizëm plotësues i public accountability, veçanërisht kur institucionet shfaqin dobësi funksionale ose shenja të state capture.
Kur një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ndihet e shfrytëzuar, e kërcënuar në jetën e përditshme, në mjedis, në shërbimet publike shëndetësi ose në funksionimin e drejtësisë, dhe kur rrugët formale të llogaridhënies, Kuvendi, drejtësia apo policia, perceptohen si selektive ose joefektive, protesta shndërrohet në një mjet legjitim presioni demokratik. Ajo nuk synon të rrëzojë rendin kushtetues; synon ta detyrojë atë të funksionojë.
Llogaridhënia kërkon proportional response nga të gjitha palët. Autoritetet duhet të reagojnë me arsye, jo me forcë disproporcionale ose me refuzimin për të mbrojtur qytetarët. Nuk mund të pranohet që qytetari të lihet pa mbrojtje nga Policia e Shtetit dhe vendin e saj ta zënë struktura private sigurie apo grupe interesi që ushtrojnë kontroll de facto mbi hapësira publike. Republika Kushtetuese nuk mund të shndërrohet në Republikë të Rojeve Private. Ngjarjet e ndodhura në zona të ndryshme të vendit, përfshirë ato të lidhura me Aeroportin e Vlorës, kanë ngritur pikërisht këtë shqetësim ulëritës!
Po aq e rëndësishme është edhe llogaridhënia e sistemit të drejtësisë. Kërkesat e opozitës dhe të grupit parlamentar, që drejtësia të veprojë “nën ligj dhe jo nën ndikim politik”, meritojnë të analizohen në këtë prizëm. Parimi nuk është politik; ai është kushtetues. Drejtësia nuk mund të funksionojë me double standards. Ajo duhet të jetë e barabartë për të gjithë.
Opozita ka të drejtë kur thotë se hezitimi ose më keq akoma, refuzimi për të hequr imunitetin funksional kur ekzistojnë prova serioze dobëson besimin publik. Reforma kushtetuese e vitit 2012, me Ligjin nr. 88/2012, u ndërtua pikërisht mbi këtë filozofi: imuniteti nuk është privilegj personal dhe as mburojë kundër hetimit penal.
Ai ekziston vetëm për të garantuar ushtrimin e pavarur të funksionit publik. Kur përdoret për të penguar drejtësinë, për të mbrojtur pjesë të dëmtuara të parlamentit, ai humbet funksionin kushtetues dhe bëhet pjesë e problemit. Dhe është bërë pjesë e problemit.
Si protestat e rajonit po detyrojnë sistemet të funksionojnë!
* Në Serbi, protestat studentore pas tragjedisë së Novi Sad detyruan dorëheqjen e Kryeministrit dhe disa ministrave. Fillimisht ato kërkonin përgjegjësi individuale, por më pas u shndërruan në një kërkesë të gjerë për reforma kundër korrupsionit dhe neglizhencës institucionale. Qeveria u detyrua të publikojë dokumente, të marrë masa dhe të pranojë presionin e rrugës si katalizator ndryshimi, pa u cenuar rendi kushtetues.
* Në Maqedonine e Veriut, pas tragjedisë në një klub nate, protestat imponuan hetime më transparente dhe masa të menjëhershme kundër korrupsionit institucional, duke treguar se protesta mund të prodhojë accountability (llogaridhënie) kur institucionet fillimisht dështojnë.
* Në Rumani, protestat masive të viteve 2017–2019 kundër korrupsionit dhe ndërhyrjeve në legjislacionin penal sollën tërheqjen e nismave të diskutueshme, ndryshime qeveritare dhe forcimin e institucioneve antikorrupsion.
Ato mbeten një shembull i presionit proporcional që detyroi “shkëputjen” e pjesëve të dëmtuara të sistemit pa cenuar demokracinë kushtetuese.
Këto raste tregojnë se në rajonin tonë protesta ka funksionuar si valvula e sigurisë së demokracisë, jo si alternativë ndaj saj. Ajo ka detyruar dorëheqje, reforma dhe hetime kur elitat politike refuzonin të jepnin llogari vullnetarisht. Pyetja që pret përgjigjie sot është nëse edhe Shqipëria do të ndjekë të njëjtën rrugë.
Mandati elektoral i jep pushtetit të drejtën për të qeverisur. Por ai nuk është një licencë për të qeverisur pa dhënë llogari. Demokracia nuk matet vetëm me numrin e mandateve të fituara; ajo matet edhe me gatishmërinë e pushtetit për të dëgjuar sovranin ndërmjet zgjedhjeve duke reaguar proporcionalisht!
Mandati elektoral i jep pushtetit të drejtën të qeverisë por llogaridhënia e përditshme i jep legjitimitetin për të vazhduar ta ushtrojë atë ose për ta dorëzuar nëse refuzon. Sovrani nuk flet vetëm ditën e zgjedhjeve; ai ka të drejtë të dëgjohet çdo ditë dhe nuk duhet çuar në cep të ringut, pasi kështu atij për tu mbrojtur i le vetëm një mënyrë!
© Panorama.al












