Strehimi, 5021 kredi të buta për 3 vjet

Sep 18, 2011 | 13:16

Qeveria ka planifikuar të subvencionojë interesat e 5021 kredive për strehim që do të merren tri vitet e ardhshme nga familjet që rezultojnë të pastreha dhe përfitojnë sipas ligjit në fuqi.Në projektdokumentin e programit buxhetor 2012-2014 jepen të detajuara edhe shifrat ku përcaktohet se qëllimi kryesor i projektit është që në fund të vitit 2011 të jenë siguruar kushtet për strehimin e 17 për qind të familjeve që kanë aplikuar pranë bashkive. Ecuria në dy vitet e tjera synohet që të ketë siguruar kushtet për 20 për qind të familjeve që kanë aplikuar pranë bashkive dhe në vitin e fundit të jenë siguruar për 23 për qind të familjeve që kanë aplikuar.
Për vitin 2011
Për këtë vit, në projektdokumentin e miratuar nga qeveria, numri i kredive të zbutura, ku qeveria paguan një pjesë të interesit të kredisë apo gjithë interesin e kredisë, në vartësi të kategorisë që ka aplikuar, është gjithsej 1281 kredi. Nga këto parashikohet që deri në fund të këtij viti, numri i familjeve që përfiton një kredi me interes 3 për qind për strehim, të jetë 829 familje. Ndërkaq, numri i atyre familjeve që i përkasin kategorisë së qiramarrësve në ish-pronë private dhe që përfitojnë kredi me interes zero për blerje banese, parashikohet të jetë deri në fund të 2011-s, 405 familje. Është edhe një tjetër kategori që përfiton kredi me interes 4 për qind, ku futen punonjësit dhe funksionarët e nivelit të lartë të administratës publike, dhe për këtë pjesë numri i kredive deri në fund të këtij viti është parashikuar 47 familje.
Vitet 2012-2014
Për tre vitet e ardhshme, në total, në projektdokumentin e “Projektbuxhetit afatmesëm 2012-2014”, janë parashikuar që të mbulohen nga buxheti i shtetit interesat e 5021 kredive gjithsej. Përqindja e interesit të subvencionuar do të varet nga kategoria që familja që ka aplikuar për strehim i përket. Kështu, familjet që do të përfitojnë një kredi me interes 3 për qind, do të jenë në total 1077 për vitin e ardhshëm. Për 2013-n, numri i familjeve përfituese që mund të kenë aplikuar pranë bashkive do të jetë 1026 dhe në vitin 2014, numri i familjeve do të arrijë 1120. Një tjetër kategori që do të përfitojë kredi të zbutur është ajo e punonjësve dhe funksionarëve të lartë të administratës, të cilët përfitojnë një kredi me interes 4 për qind, ndërsa pjesën tjetër ua paguan buxheti. Për vitin 2012 parashikohet që familjet që i përkasin kësaj kategorie të jenë 60 gjithsej dhe po kaq edhe për vitin 2012, ndërsa për vitin 2013, numri i kredive me interesa të zbutura parashikohet të jetë 78. Kategoria e fundit është ajo që përfiton kredi me interes zero, pra familja paguan vetëm vlerën e principalit të kredisë, ndërsa pjesën të interesit e mbulon komplet buxheti i shtetit. Kjo kategori përfshin qiramarrësit në ish-pronë private. Për vitin 2012, në projektdokumentin e miratuar parashikohen që të jenë përfituese 539 familje, për vitin 2013, 505 familje dhe për vitin 2014, plot 556 familje. Projekti i banesave me kosto të ulët është duke u zbatuar prej disa vitesh. Sipas të dhënave nga Enti i Banesave, deri në muajin gusht kanë përfituar gjithsej 1070 familje, ndërkohë që rreth 2 mijë të tjera janë në prag të marrjes së kredisë për shkak se dokumentet e tyre kanë kaluar në bankë.

Numri i familjeve përfituese sipas viteve
Familjet që përfitojnë kredi

me 3% interes
Vitin 2011, 829 familje
Viti 2012, 1077 familje
Viti 2013, 1026 familje
Viti 2014, 1120 familje

Familjet që përfitojnë kredi
me interes 0%
Viti 2011, 405 familje
Viti 2012, 539 familje
Viti 2013, 505 familje
Viti 2014, 556 familje

Familjet që përfitojnë kredi
me 4% interes
Viti 2011, 47 familje
Viti 2012, 60 familje
Viti 2013, 60 familje
Viti 2014, 78 familje

Enti Kombëtar i Banesave
Deri në muajin gusht, Enti Kombëtar i Banesave vlerëson se kanë përfituar kredi të zbutur 1070  familje në total nga projekti që ka filluar të zbatohet në fillim të 2010-s. I ndarë sipas kategorive, numri i përfituesve përfshin 215 familje, të cilat janë familje në ish-pronë private që kanë përfituar kredi me interes zero për qind, 767 familje që kanë përfituar nga bashkitë përkatëse kredi me 3 për qind, me afat shlyerjeje 30 vjet, si dhe 88 familje të tjera që janë zyrtarë të lartë, që kanë interes 4 për qind. Në një rakordim që Enti Kombëtar i Banesave bëri muajve të fundit me BKT-në (që është dhe banka me të cilën qeveria ka lidhur marrëveshjen), numri familjeve të dërguara pranë saj vlerësohet të jetë 2 mijë, pra familje kredia e të cilave është në procedim.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura