Debatik Curri dhe Ervin Bulku nuk do të luajnë ndaj Azerbajxhanit. Të dy lojtarët janë të dëmtuar dhe, sipas informacioneve, nuk do jenë të gatshëm për trajnerin e emergjencës, Xhemal Mustedanagiç, për këtë miqësore. Sakaq, ka zgjatur rreth 70 minuta seanca e parë stërvitore e skuadrës sonë përfaqësuese dje pasdite, në stadiumin “Tofik Jashari” të Shijakut. Nën komandën e Mustedanagiç kanë qenë dy portierët: Hidi dhe Shehi, mbrojtësit: Lila, Dallku, Cana, Agolli, Teli, mesfushorët Vila, Lilaj, Lika, Bakaj, Muzaka, Hyka dhe Roshi, si dhe sulmuesi Hamdi Salihi. Është vënë re në stërvitje mungesa e futbollistëve si Kapllani, Bogdani, Curri, Vangjeli, Jonuzi, që me sa duket do t’i bashkëngjiten grupit në seancën e sotme stërvitore. Sakaq, stërvitja e djeshme ka konsistuar në rehabilitimin e futbollistëve në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjen miqësore ndaj Azerbajxhanin. Zëvendëstekniku në planin e tij stërvitor ka pasur si qëllim një stërvitje të lehtë pa ngarkesë fizike, duke vënë theksin në punën me topin sipas reparteve. Një vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe goditjeve nga distanca në drejtim të portës së mbrojtur në mënyrë alternative nga Hidi dhe Shehi.











