EKSKLUZIVE/ Lika rivishet i kuq: Gati të zëvendësoj Asanin, ja pse u riktheva në shtëpi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 19:41

EKSKLUZIVE/ Lika rivishet i kuq: Gati të zëvendësoj Asanin, ja pse u riktheva në shtëpi…

Partizani zyrtarizoi firmën me Gresild Likën, sulmuesin 23- vjeçar që firmosi për një sezon me “demat e kuq”.

lika

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lika tregoi arsyen pse zgjodhi Partizanin, si dhe theksoi se dëshiron ta zëvendësojë sa më mirë mikun e tij, Jasir Asanin, që u largua gjatë kësaj vere drejt Hungarisë.

Gresild, urime për transferimin te Partizani. Pyetja e parë që vjen direkt në mendje: Pse pikërisht firmosët për “demat”?

Shumë faleminderit! Firmosa për Partizanin sepse është shtëpia ime, nuk hezitova për asnjë moment ta refuzoja ofertën. Sido që të shkonte puna, unë do të firmosja direkt me Partizanin, nuk do t’i thosha kurrë “jo” Partizanit.

A kishte Gresildi oferta të tjera në tavolinë gjatë këtyre ditëve?

Të jem i sinqertë, kisha edhe disa oferta të tjera, si nga Superiorja shqiptare, ashtu dhe nga Kosova, por vendosa të firmos për Partizanin sepse është ekipi ku kam lindur dhe jam rritur si futbollist.

Ju nuk jeni futbollisti i vetëm që ka dalë nga akademia e Partizanit, keni lëvizur në ekipe të tjera e më pas jeni rikthyer sërish. Pse ndodh kjo gjë?

Partizani është një ekip shumë i madh dhe nga vetë fakti që kërkon gjithmonë lojtarë të afirmuar, nuk lejohen shumë hapësira për lojtarë të rinj nga akademia. Dhe normalisht, kemi lëvizur për t’u afirmuar diku tjetër dhe kemi ardhur sërish te Partizani, por kësaj radhe gati për të përballuar fanellën e rëndë të klubit.

Partizani ka një prej tifozërive më të mëdha në Shqipëri dhe janë edhe shumë kërkues. E shton kjo gjë presionin te ju, e ndieni këtë presion?

Nga vetë emri i klubit, që është shumë i madh, normalisht që tifozët do të kërkojnë maksimumin nga lojtarët e ekipit. Unë kam besim se grupi do të rritet ndeshje pas ndeshjeje dhe do të japim gjithmonë maksimumin për të arritur objektivat, që për Partizanin është gjithmonë maja e tabelës.

Partizani nuk është ekipi i vjetshëm, ka pasur shumë hyrje-dalje në merkato. A do t’i duhet kohë grupit të ambientohet?

Besoj se lojtarët janë njohur me njëri-tjetrin dhe nga ndeshja në ndeshje normalisht që ekipi do të vijë në rritje. Gjithashtu, kemi trajner dhe Ilir Dajën, i cili është ndër më të mirët në Shqipëri dhe që do t’i marrë maksimumin këtij grupi.

Ju personalisht, keni biseduar me trajnerin Daja, ju ka treguar planet që ka për ju?

Sigurisht që kam biseduar me trajnerin Daja dhe, siç e thashë edhe më lart, objektivi i Partizanit është maja e tabelës. Shpresojmë që të arrijmë objektivat dhe të shkojmë sa më lart.

Ku ndihet më mirë Gresildi, në të majtë të sulmit apo djathtas?

Unë nuk e kam problem, për çdo pozicion do të jap maksimumin, ku të ketë nevojë ekipi. Luaj majtas, djathtas, por edhe si numër 9, nuk e kam problem.

Nëse luani në të djathtë të sulmit, do të zëvendësoni mikun tuaj Jasir Asani, që u largua gjatë verës. Kur ju erdhi oferta e Partizanit, e menduat këtë gjë?

Normalisht, dihen cilësitë e Jasir Asanit dhe çfarë lojtari ka qenë për Partizanin. Të jem i sinqertë, e mendova se do të jem zëvendësuesi i tij dhe ai është miku im më i mirë. Shpresoj që t’i ngjasoj sadopak.

Në sulm do të gjeni Stenio Zhuniorin, një prej lojtarëve më të mirë në Shqipëri. Si e prisni bashkëpunimin me të?

Çdo lojtar dëshiron të luajë me lojtarët më të mirë dhe të krijojë marrëdhënie të mira. Jo vetëm me Stenion, por me çdo lojtar, synoj që të krijoj raporte sa më të mira.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"