SPAK nisi verifikimet për kontratën e lobimit, reagon Partia Demokratike: Jemi transparent! Është nënshkruar në përputhje me ligjet e dy vendeve

Apr 27, 2025 | 16:12

Partia Demokratike ka reagaur pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi se nisur verifikimet në lidhje me kontratën 6 milionë dollarë të PD-së për dy vjet, me një firmë në Uashington DC.

pd

Në reagimin për mediat PD thekson se kontrata e tyre me kompaninë amerikane “Continental” që drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i cili njihet gjithashtu dhe si avokat i Presidentit Trump,  është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli.

“Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli”, thuhet në deklaratë.

Më tej, PD deklaron se “kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij”, ndërsa shton se kryeministri po perdor SPAK.

“Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184”, deklaron PD.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE

Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184!

Njëlloj siç kanë mbyllur sytë para 150 milionë eurove të vjedhura të inceneratorëve, nga të cilat SPAK jo vetëm nuk ka rekuperuar asnjë qindarkë, por hesht si fija e barit se ku kanë përfunduar 150 milionë euro për një vepër që nuk ekziston.

Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!

Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës!

Sot Partia Demokratike, falë diasporës, është më e fortë se kurrë! Ditët e Ramës janë të numëruara! Fitorja është afër dhe i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve brenda dhe jashtë Shqipërisë të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të kësaj fushate për të realizuar qëllimin tonë final që është Shqipëria Madhështore!

SPAK NIS VERIFIKIMET

SPAK njoftoi sot, 27 prill, se ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të Partisë Demokratike, e cila u bë publike një ditë më parë.

“Ju informojmë si vijon: Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”, thuhet në njoftim.

Reagimi i SPAK erdhi një ditë pas lajmit se Partia Demokratike ka nënshkruar një kontratë lobimi 6 milionë dollarë për dy vjet me një firmë në Uashington DC. Pagesa i është bërë kompanisë amerikane “Continental” që drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i cili njihet gjithashtu dhe si avokat i Presidentit Trump.

Por në një sqarim, zyra e shtypit te PD tha se ky është një kontribut financiar i shqiptarëve që prej vitesh jetojnë dhe punojnë në SHBA.

“Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marre përsipër 100% nga patriote shqiptare qe jetojnë dhe punojnë prej dekadash ne SHBA si dhe demokrate te tjerë te larguar nga Shqipëria këto 10 vite për shkak te regjimit te Edi Rames”, thuhet në reagimin e PD.

Partia Demokratike, teksa falenderon demokratët e komunitetit shqiptaro – amerikan për bujarinë dhe e patriotizmin e tyre “sqaron opinionin publik se ndonëse ka dhënë dakordesine për marrjen e këtij shërbimi ne përputhje te plote me ligjet e te dy vendeve, nuk ka asnjë barre financiare apo detyrim kontraktual qe lind nga kjo marrëveshje”.

© Panorama.al

Te lidhura