
FIER – Aleanca “Kuq e Zi” mblodhi dje në Fier qindra firma për kauzën e saj kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili është edhe iniciatori i këtij peticioni, mbërriti në Fier pasi më parë ka mbledhur mijëra firma që qytetet e Vlorës, Durrësit, Tiranës, Elbasanit e Korçës. Sipas Spahiut, regjistrimi etnik e fetar rrezikon bashkëjetesën. Ai theksoi se nuk ka regjistrim që të mund të ndryshojë realitetin shqiptar. “Vetëdeklarimi i kombësisë dhe fesë nuk korrigjon regjistrin civil, por rrezikon bashkëjetesën. Asnjë gjykatë europiane nuk e ndryshon kombësinë. Ligji ‘Për Gjendjen Civile’ është abuziv. Shtetësia është tjetër gjë nga kombësia, pasi personat mund të marrin disa shtetësi, por asnjë shtet nuk ndryshon kombësinë, siç po ndodh aktualisht në Shqipëri, pasi gjaku dhe e drejta është një”. Kështu u shpreh dje nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ai është i pari që ka firmosur peticionin, ndërsa vazhdon të mbledhë firmat nëpër rrethe të ndryshme për të mbrojtur interesat e vendit. “Bashkëjetesa në paqe dhe harmonia nuk e ka lidhur kombësinë me fenë dhe as identitetin me përkatësitë fetare. Nuk mund të shfrytëzohet një popull në skamje për të deklaruar kombësi tjetër. Shqiptarët kanë kërkuar të bëhen gjermanë apo italianë, por askush nuk i ka pranuar si të tillë, por si shqiptarë”, deklaroi më tej Spahiu. Pas deklaratës së tij, të pranishmit janë zhvendosur përpara teatrit “Bylis” në Fier, ku kanë qëndruar për rreth një orë në mbështetje të kësaj kauze duke nënshkruar peticionin. Firmëtarët u shprehën se me anë të këtij peticioni do t’u jepet përgjithmonë fund tendencave të ndryshme për falsifikimin e kombësisë shqiptare. Me anë të këtij peticioni, i cili merr vlera pas grumbullimit të 50 mijë firmave qytetare, pritet ndryshimi i ligjit të regjistrimit të popullsisë mbi baza fetare e etnike. Spahiu i ka shtrirë takimet e tij në shumë qytete të vendit, duke bërë edhe sqarimet ligjore dhe juridike të regjistrimit, ndërsa ka lançuar si të shenjtë identitetin kombëtar. Ai hodhi firmën i pari në qytetin e Vlorës, ku edhe nisi nisma për ndryshimin e ligjit të regjistrimit të popullsisë. m.r











