Analisti Edvin Kulluri komentoi vendimin e qeverisë së Edi Ramës për të financuar koncertin e reperit Kanye West me 4 milionë euro.
Në një intervistë për News24, ai deklaroi se fondi i emergjencës nuk mund të preket për një koncert, por vetëm për gjëra jetike për vendin.
“Besoj që nëse është prekur fondi rezervë i qeverisë preket çështje krejt të tjera, për çështje shumë më serioze se një koncert. Kryeministri nuk mund të prekë fondin e emergjencës për këtë çështje por për gjëra që janë realisht emergjente për shoqërinë, si emergjencat civile, mund të jetë rritja e papritur e interesave të borxhit publik, ose një vepër infrastrukturore kritike.
Ne sot kemi diku te 10 milionë turistë. Impakti ekonomik i një koncerti në turizëm nuk është kaq sa e shet kryeministri. Ti nuk heq plehrat pas hoteleve me 5 yje në Dhërmi dhe ti do të investosh te koncerti. Ka mbetur po i njëjti Edi Rama kryetari i bashkisë. Punët serioze të shtetit i ka kthyer në qesharake. Që nga siguria kombëtare e deri te gjëra të tjera. Nuk ka koncepte menaxhimi të interesave të përbashkëta qytetare.”, theksoi ai.
Sipas tij, kjo është një aventurë personale e kryeministrit, ndërsa shtoi se me këtë sfidoi protestuesit të cilët dalin çdo ditë në shesh kundër padrejtësive.
“Pas fasadës ka realitete të vështira që kanë nxjerrë këta njerëz në shesh. Nuk besoj se këto 4 milionë euro do t’u zgjidhin problemet, por në këtë situatë kjo është një sfidë që Rama iu bën atyre njerëzve në shesh se disa janë ish pronarë që nuk janë dëmshpërblyer, disa iu janë marrë pronat për interesa publike dhe nuk janë dëmshpërblyer, disa mendojnë se me këto lekë duhen bërë shumë gjëra bazike. Kur kujton se sa miliarda janë shpërdoruar për shkak të korrupsionit nga kjo qeveri, irritohesh edhe më shumë. Nuk është treguar i mençur me këtë ndërhyrje, këto janë aventura personale se dikujt i pëlqen Kanye West, dikujt Scorpions.”, tha ai.
Duke komentuar deklaratën e Ramës se dhanë financimin në minutën e fundit për të mos turpëruar Shqipërinë, analisti deklaroi se vendi turpërohet nga veprimet e qeverisë që po e shkatërron atë me vendimet e saj.
“Turpërohet ky jo Shqipëria. Shqipëria turpërohet për shkak të standardit të ulët demokratik, se shkatërrohet natyra me firmën e qeverisë, se është bërë mal betoni, krimin e organizuar që ky e mban mbi shpatulla. Nuk është ky modeli i zhvillimit. Këto dështime të mëdha nuk i mbulon dot me një koncert apo me penelat që hedh ky poshtë e lartë. “, shtoi Kulluri.
© Panorama.al












