Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth anuloi një takim që ishte planifikuar për të mërkurën për të diskutuar shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F-35 Turqisë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha një burim për Reuters.
Sipas burimit, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, Hegseth, gjatë vizitës së tij në Izrael, do të takohej edhe me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz dhe se do të diskutonin edhe për Iranin.
Një shitje e mundshme e avionëve F-35 Turqisë pritet të shkaktojë reagime të forta në Izrael. Netanyahu tha në një intervistë me CNN të martën se ai e kundërshton këtë perspektivë dhe se ia ka bërë të qartë qëndrimin e tij Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
“Kjo do të prishte ekuilibrin e pushtetit në Lindjen e Mesme, pasi Turqia ka ambicie agresive”, tha kryeministri izraelit.
Trump, i cili po merr pjesë në samitin e NATO-s në Turqi me Hegseth, njoftoi të martën se do të heqë sanksionet e SHBA-së të vendosura ndaj Ankarasë për shkak të blerjes së raketave ruse të mbrojtjes ajrore në vitin 2019, dhe sinjalizoi një gatishmëri për t’i shitur aleatit të NATO-s avionët luftarakë F-35, një veprim që ka të ngjarë të përballet me rezistencë të fortë në Kongres, si dhe në Izrael.
Marrëdhëniet dypalëshe ishin përkeqësuar ndjeshëm për shkak të blerjes së sistemit rus S-400 nga Turqia, gjë që bëri që SHBA-të të vendosnin sanksione ndaj një kompanie të madhe turke të mbrojtjes dhe të largonin Ankaranë nga programi i avionëve luftarakë F-35.
Marrëdhëniet janë përmirësuar ndjeshëm që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, por shitjet e avionëve mbeten të bllokuara sipas ligjit amerikan.
© Panorama.al












