Slogani i PD: Ju jeni të parët

Mar 29, 2011 | 12:41

Partia Demokratike zbulon sloganin për zgjedhjet lokale të 8 majit. Një ditë pas publikimit të listës së kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe komunave, kryeministri Sali Berisha ka folur dje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat për fushatën.Sipas tij, slogani i këtyre zgjedhjeve drejtuar qytetarëve do të jetë “Ju jeni të parët”. “Grupet e ekspertëve po punojnë prej kohësh për sloganin. Slogani ynë buron nga shpirti i vetë sloganit, të qytetarit, me qytetarin, për qytetarin, dhe me sa duket, slogani do të jetë “Të parët jeni ju” apo “Ju jeni të parët”, sepse qytetarët janë të parët, ata do të jenë të parët, ndaj dhe ne përqendrohemi së bashku me ta për të gjithë problematikën e këtyre zgjedhjeve. Ky slogan pothuajse përfundimtarë është “Ju jeni të parët”, u shpreh Kreu i qeverisë. Një tjetër dilemë e PD-së është edhe kënga që do të shoqërojë fushatën elektorale. Sipas Kryeministrit, edhe në këto zgjedhje do të jenë dy himne që do të përdoren nga demokratët, një i huaj e cila mund të jetë “Victory” e Michael Flatley, si dhe një shqiptare. Në të njëjtën kohë, Kryeministri mbrojti procedurën e ndjekur nga Kuvendi për përzgjedhjen e projektit për kompleksin e ri parlamentar. “Dua të theksoj edhe njëherë se ky ka qenë konkursi më i hapur në historinë e këtij vendi. Konkurs në të cilin siç e dini morën pjesë 25 studio, nga më prestigjiozet dhe më të njohurat e botës, për hir të transparencës, sepse kur ata paraqesin projektin lidhet një marrëdhënie kontraktuale me ta, siç është ruajtja e pronësisë mbi projektin, një çmim për hartimin e tij”, u shpreh Berisha. Sipas tij, “juria përzgjodhi, si projekt më të mirë, vlerësoi në kompleksitetin e tij, si projektin më të bukur, më funksional, projektin e arkitektit austriak Prix, që është sot një ndër më të mëdhenjtë absolutë të kohës sonë”.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura