Skandali i biletave në Ballsh

Mar 14, 2011 | 12:42

Mbi pesë mijë tifozë, mes të cilëve kishte edhe nga ata me megafon, kanë pritur në mënyrë të organizuar homologët e tyre vlonjatë para ndeshjes Bylis-Flamurtari, ditën e djeshme, në Ballsh. Natyrisht pritja nuk kishte të bënte me asgjë “vllazërore” ose fair-play, por me fjalorin më ofendues dhe të dhunshëm të gjuhës shqipe. “Vlora, Vlora të bëfsha motrën”, “do t’ju vrasim, do t’ju sakatojmë”, “edhe Reali i Madridit të vijë këtu s’fiton dot”, si dhe fyerje të tjera për shefin e klubit vlonjat, Geri Çipi, dhe presidentin e Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Dje drejt Ballshit patën udhëtuar shumë tifozë vlonjatë, të sponsorizuar edhe nga drejtuesit e këtij ekipi, të cilët patën vënë në dispozicion 5 autobusë falas për të ndjekur këtë takim. Çudia erdhi më pas, kur një urdhër i nxjerrë nga drejtuesit ballshiotë lejonte futjen falas të tifozëve të Bylisit në stadium, ndërsa ata vlonjatë duhet të paguanin 10 mijë lekë (të vjetra) për çdo biletë. Ndaj për më shumë se 15 minuta nga fillimi i lojës, tifozët vlonjatë qëndruan jashtë stadiumit, duke mos pranuar të paguanin këtë shifër tejet të lartë për një ndeshje të Superiores. Kjo ishte vetëm një panoramë “mirëseardhjeje” e tifozëve dhe drejtuesve të Bylisit, e cila vazhdoi në fushën e lojës me ndërhyrje të rënda të lojtarëve, me një gjykim mëse të dobët nga ana e arbitrave dhe me përplasje mes presidentit të ballshiotëve, Besnik Kapllanaj, dhe shefit të klubit vlonjat, Geri Çipi. Në fillim të pjesës së dytë, pas një faulli të rëndë në dëm të kapitenit të Flamurtarit, Artan Sakaj, Çipi ka protestuar, por ka hasur jo vetëm “qortimin” e arbitrave, por edhe ofendimet që nga tribuna të Besnik Kapllanajt. Madje, ky i fundit shkoi edhe më tej, duke zbritur deri në afërsi të pankinës së Flamurtarit duke sharë e ofenduar, por nuk u lejua nga policia.

© Panorama.al

Te lidhura