Siria ka mbetur pa qeveri, pas shkarkimit të saj nga Presidenti Bashart al Asad, si një nga masat e premtuara për reformë, pas protestave të ashpra të nisura në këtë vend rreth dhjetë ditë më parë. Sipas medias shtetërore, Presidenti Bashar al Asad e ka pranuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Naji Otri. Asad do t’i adresohet kombit gjatë 24 orëve të ardhshme, për të njoftuar se do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme, e cila është në fuqi në këtë vend prej 5 dekadash. Ligji për gjendjen e jashtëzakonshme u krijua pas grusht-shtetit të vitit 1963, nga i cili erdhi në pushtet Partia Ba’ath, e cila është ende në fuqi. Presidenti Bashar al Asad e ka marrë pushtetin nga babai i tij, Hafez al Asad, dhe është në këtë post prej 11 vitesh. Dhjetëra mijëra sirianë janë mbledhur në qendër të sheshit të Damaskut për të protestuar në mbështetje të presidentit Asad. Presidenti sirian po përballet me sfidën e tij më të madhe gjatë 11 viteve në pushtet, pasi protestat kundër qeverisë kanë nisur në disa qytete jugore dhe kanë shpërthyer më pas në të gjithë vendin. Forcat e sigurisë kanë hapur zjarr të paktën në gjashtë raste rreth vendit, përfshirë kryeqytetin Damask dhe qytetin rëndësishëm port, Latakia. Të paktën 61 vetë janë vrarë që nga 18 marsi, sipas “Human Rights Watch”.











