Ndryshimi i fundit që i është bërë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, ku është përfshirë si procedurë edhe ankimimi në gjykatë në rast pakënaqësie, nuk është i mjaftueshëm për ta konsideruar ligjin të plotë. Për deputetin e Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, ligjit të cilit po i bëhen ndryshime herë pas here për ta përafruar me legjislacionin e BE-së, nuk duhet ndryshuar me pjesë, por duhet bërë i ri. “Ashtu siç e shprehët shqetësimin, këtu kemi të bëjmë me një ligj që mund të jetë amenduar nja 100 herë, por ndoshta është koha që të ulemi bashkë dhe të bëjmë një ligj të ri, ky është një ligj që ka nevojë për t’u reformuar”, tha Shehu. Ndërkaq, ndryshmin e fundit ai e quajti si një ndryshim të vogël, por shumë të rëndësishëm në thelbin që është kërkuar të përmirësohet. “Ky problem që ngrihet sot, lidhur me animimin, është një problem shumë i diskutueshëm dhe kërkon një konsensus të plotë, ne jemi akoma në standardet më të vjetra për sa i përket procesit në fjalë”, tha ai. Ndërkaq, për ndryshime të tjera është shprehur edhe opozita përmes deputetit Arben Malaj, i cili kërkoi që të eliminohen disa hallka që shtojnë sorollatjen e njerëzve dhe nga ana tjetër të kihet më shumë vëmendje për mënyrën se si procedohet, duke eliminuar problemet që sjell përqendrimi i shumë përgjegjësive tek Lokalët, dhe jo tek Qendrori. Edhe për kryetarin e Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, është e rëndësishme që të bëhen disa përmirësime që lidhen me shkurtime afatesh për procedurat e përfitimit të pensionit të invaliditetit apo KEMP-it. “Është mirë të shihet nëse mund të ketë shkurtime të procedurave dhe të afateve. Gjithsesi, vendimi i sotëm është në favor të atyre që vuajnë nga sëmundja, që janë në kushtet e invaliditetit dhe që duan të përfitojnë”, tha Spaho. Dje në komision, për të shpjeguar ndryshimet në projektligj, ishin përfaqësues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas tyre, ndryshimi zgjeron një të drejtë të cunguar deri më tani. Nëse më herët organi ku mund të ankoheshe për anën procedurale të mospërfitimit të së drejtës për pension invaliditeti apo për anën mjekësore, si organ ishte vetëm Këshilli Mjekësor, tashmë ankesa mund të bëhet edhe në gjykatë.
Debati
Në rend të ditës për t’u diskutuar ishin edhe dy marrëveshje që lidheshin me dy projekte që do të financohen nga KFË-ja. Ka qenë pikërisht diskutimi për këto projekte dhe për efiçencën e përdorimit të parave që kanë nxehur debatet mes opozitës dhe mazhorancës. Pikërisht në momentin që deputeti i PS-së, Ervin Koçi, ka ngritur dyshime mbi projektet, ka reaguar deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, me frazën “…e di ti, se ke vjedhur tek tatimet”. Kaq ka mjaftuar që deputeti Ervin Koçi të tentojë të ngrihet nga vendi dhe nëse nuk do të ishte mbajtur nga deputetët e tjerë, do të shkonte drejt një konfrontimi fizik.
Debati
Gjatë diskutimit të marrëveshjeve të kredive me KFË-në, deputetët po diskutonin për projektet dhe efiçencën me të cilën përdoren paratë.
Sherefedin Shehu (Ervin Koçit): E di ti se ke vjedhur tek tatimet, prandaj.
Albert Çaçi: Kujt i thua ti hajdut, pse i thua?
Shehu: Çfarë ke?
Koçi: Kujt i thua hajdut ti ore shok. Nëse ke ndonjë gjë jam i hapur ta sqaroj, por jo kështu.
Edmond Spaho: Qetësohuni, e mbyllim këtë debat.
Albert Caci: Kujt i thotë hajdut ai?
Sherefedin Shehu: Jo, e them dhe ta dinë të tërë ata (për opozitën). Qetësohuni, qetësohuni(Çacit dhe Koçit)
Koçi: Unë të……. (çohet nga vendi, por e mban deputeti Florion Mima)
Malaj (Mazhorancës): Mos ofendoni është e disata herë që ofendoni, pse na provokoni?
Ilir Bejtja: S’po na lini të flasim, mirë që nuk na lini në Parlament, por të paktën na lini të flasim këtu.











