
Qetësinë brenda atij apartamenti të vendosur në katin e gjashtë të një pallati në Tiranë, prej kohësh e ka “prishur” një e qarë fëmije. Fëmija i dytë i Sidorela Kolës dhe Sokol Dervishit quhet Rejana. Është një vajzë e shëndetshme dhe e bukur. Prania e të voglës 2-vjeçare duket se ka lëkundur disi ekuilibrat e vëmendjes karshi vëllait të madh, Omarit, i cili ka nisur të shfaqë pakënaqësitë e para. Gjithsesi, mëmësia nuk është tokë e pashkelur për mamanë 36-vjeçare, e cila ka dëshmuar se në marrëdhënien me fëmijët di si të vendosë ekuilibrat. Por, jo vetëm. Përtej mëmësisë, qëndron edhe Sidorela avokate, me një përvojë profesionale në një nga studiot më të njohura ligjore në vend. Është edhe bashkëshortja e zv.ministrit të Ekonomisë dhe Tregtisë, Sokol Dervishit, që ka sakrifikuar nga vetja për t’i lënë gjitha hapësirat e nevojshme në karrierën politike të shoqit. E përtej të gjitha këtyre, është edhe ish-missi largpamës dhe aspak pragmatiste, që zgjodhi karrierën profesionale në Drejtësi, përpara prozhektorëve të pasarelave të botës së spektaklit. Në këtë rrëfim për suplementin “Unë Gruaja”, Sidorela Kola na rrëfen shumëçka…
Sidorela, pasi fituat kurorën e më të bukurës së Shqipërisë në vitin 1992, keni preferuar të qëndroni larg publicitetit mediatik. Pse kjo zgjedhje?
Më shumë se sa tërheqje, është imja si dëshirë për të ruajtur me fanatizëm jetën personale e atë familjare. Në mendjen time kam pasur të ngulitur idenë se nuk kisha arsye për t’u shfaqur mediatikisht në momentin që nuk isha e përfshirë me spektaklet apo botën e artit, çka shpeshherë përbën edhe interesin e publikut të gjerë. Pikërisht këto arsye më kanë mbajtur larg vëmendjes mediatike.
Pas Valbona Selimllarit, ju ishit missi i dytë që u kurorëzuat në Shqipëri. Çfarë ju mbetur prej asaj kohe?
Kujtim më ka mbetur sigurisht spektakli dhe kurora e Missit. Nëse rikthehem pas në kohë, kujtoj emocionet e bukura dhe faktin që gjithçka shkoi sipas parashikimeve. Unë isha 17 vjeçe atëherë, ende e re dhe pa përvojë jetësore. Fakti që ishte periudha e fillimit të spektakleve të bukurisë në vendin tonë, bënte që as të mos mendohej për xhelozitë apo bërrylat mes konkurrenteve. Të gjitha pjesëmarrëset ishin ende vajza “të padjallëzuara”. Të gjithë këtë përvojë sot e shoh si diçka të bukur që ka ndodhur në jetën time, ndërsa për kohën atëherë, të fitoje kurorën e më të bukurës së vendit, ishte vërtet shumë.
Në vend të një karriere në fushën e spektaklit zgjodhët të diplomoheshit në një profesion “serioz”, të krijonit familje…
Mua nuk më ka tërhequr asnjëherë jeta e pasarelave apo e televizionit. Besoj se një zgjedhje e tillë duhet të vijë së brendshmi dhe krejt e natyrshme. Mbi të gjitha, dëshira për t’u angazhuar në to. Kësisoj, duke më munguar këto cilësi, u dorëzova dhe bëra zgjedhjen time për të ardhmen profesionale, që ishte avokatia. Nuk mund të tregohem pragmatiste, kur vjen puna tek profesioni i përjetshëm dhe tek një e ardhme e sigurt, që mund të ta japë veçse një profesion i plotësuar dhe i studiuar mirë. Që të dalësh miss, nuk do të thotë domosdoshmërisht që e ardhmja që të pret është bota e artit, prezantimi apo imazhi i ndonjë kompanie prestigjioze. Edhe pse më janë bërë shumë oferta të rëndësishme, i kam refuzuar të gjitha. Përfshirja ime në art mbeti thjesht tek ajo kurorë e missit.
Cila është sot jeta juaj?
Ditët e mia janë shumë të ngjeshura, aq sa asnjëra nuk i ngjan tjetrës. Duke qenë bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve, Omari tetë vjeç dhe Rejana dy vjeç, kam gjithë përkushtimin e nevojshëm dhe durimin e duhur për t’u marrë me ta. Jam tërësisht e dhënë pas familjes e fëmijëve. Ata janë gjëja më e rëndësishme e jetës sime. Djali këtë vit shkon në klasë të tretë, ndërsa për vajzën kujdeset ende gjyshja derisa të mbushë moshën për në kopsht. Pas mëngjesit të shpejtë duke përgatitur fëmijët, njëherësh edhe me veten për të shkuar në punë, koha fluturon dhe unë gati nuk e ndiej ditën time për nga ngarkesa, angazhimet profesionale, puna e gjithçka më rrethon.
Të bërit nënë për herë të dytë, çfarë emocionesh përcolli tek ju?
Të bërit nënë për mua është një nga ato ndjesitë e papërsëritshme. Është më shumë sesa e mrekullueshme. Të dy fëmijët i kam lindur me operacion, ndaj nuk e kam provuar ndjesinë e lindjes natyrale. Jam përkushtuar shumë në të dy shtatzënitë. Kam ecur dhe kam bërë ushtrime deri ditët e fundit para lindjes, por nuk i kam shpëtuar dot operacionit. Lindja e dytë sigurisht më gjeti me më shumë përvojë dhe më të përgatitur në rolin e nënës. Ajo çfarë nuk më ka ndryshuar, është gati adhurimi për dy fëmijët e mi.
Ka diçka në rritjen e djalit, që e konsideroni “të gabuar” e nuk do të donit ta përsërisnit gjatë edukimit të vajzës suaj?
Shtatzënia e parë të gjen pa përvojë dhe të papërgatitur. Nuk mendoj se do të ndryshojë shumëçka në rritjen e vajzës Rejana, apo do të përmirësojë ndonjë defekt timin si mama e tyre. Përkëdhelitë nuk kam për t’jua mohuar kurrë të dyve, sepse gjykoj se sa janë të vegjël fëmijët duhet të përkëdhelen gjithmonë. I dua përkëdhelitë, por jo llastimet e tepruara apo ekzagjerimet. Çdo prind bën gabimet e veta në rritje, nuk ka njerëz të përkryer. Tek fëmija i dytë, besoj se do të përmirësoj çështjen e të plotësuarit të tekave apo dëshirave dhe kaq.
A ka shfaqur Omari shenja xhelozie kundrejt së motrës?
Im bir u mësua për një kohë të gjatë vetëm, pasi fëmijët e mi kanë një diferencë prej gjashtë vjetësh nga njëri-tjetri. Duke qenë i pari, ai ishte edhe në qendër të vëmendjes, i përkushtoheshin të gjithë gjyshërit, unë dhe Sokoli. Dhe kur erdhi një i dytë në familje, ai nisi të ankohej se nuk po i kushtonim vëmendje aq sa duhej. Dikur qëndroja më gjatë me tim bir përpara se ta zinte gjumi, i lexoja përralla e libra për fëmijë, ndërsa tani që kërkon përkushtim edhe e vogla Rejana, më duhet të racionoj vëmendjen time.
Keni kohë për veten?
Jam shumë e dhënë ndaj fëmijëve të mi. Por, gjej kohën e përkushtimit për të gjithë njerëzit që rrethojnë jetën time, edhe për miqtë e mikeshat e mia. Kur më është dashur, përpara mirëqenies së fëmijëve të mi kam hequr dorë edhe nga ndonjë drekë me miqtë, udhëtim jashtë shtetit. Por, të gjitha këto i bëj me kënaqësi dhe pa asnjë kokëçarje. Përgjithësisht jam natyrë e mbyllur, që të gjitha shqetësimet i mbaj për vete. Nuk dua të mërzis të tjerët përreth, e kjo bën që të mbushem emocionalisht, por jam shumë tip i qetë për të shpërthyer në skena të pakontrolluara. Mbase kjo mund të cilësohet edhe si shenjë egoizmi, për të mos e ndarë shqetësimin me të tjerët. E rëndësishme është të ndihem në paqe me veten. Më pëlqen shumë të udhëtoj jashtë shtetit, gjë të cilën e praktikoj shpesh, qoftë me familjen apo me mikeshat e mia. Sa i takon manisë së dyqaneve dhe blerjes së veshjeve, mund të them me plot gojën që nuk jam maniake pas etiketave nën rroba të shtrenjta apo firmave prestigjioze. Mjafton që diçka të më rrijë mirë në trup e nuk i bëj naze.
Po Sokoli, bashkëshorti juaj, sa bashkëpunues është në rritjen e fëmijëve?
Për të qenë e sinqertë, politika i merr shumë kohë. Ai është gjithnjë i angazhuar me punët e tij. Por, sa herë që kthehet në shtëpi, merret mjaftueshëm me fëmijët. Pjesën e luanit sigurisht e bëj unë, duke u interesuar për ecurinë në mësime, duke i nxjerrë për të luajtur në kënde lojërash e duke u argëtuar bashkërisht.
Tashmë, jeni katër pjesëtarë në familje. Mendoni se familja juaj është e plotë tani?
Unë ndiej se familja jonë është e plotësuar. Por, nuk ia kam mbyllur derën ndonjë fëmije tjetër. Mua nuk më duken asnjëherë tepër fëmijët, gati i adhuroj ata. Aq sa, kur shoh nëna me tre apo katër fëmijë, u shpreh në sy lumturinë e të pasurit të aq shumë fëmijëve. Sado që ata kanë streset e problemet e veta që bashkudhëtojnë me rritjen e tyre, gjithçka është kalimtare, në momentin që fëmijët gëzojnë shëndet dhe familja është e plotësuar.
Keni një lidhje shumë të ngushtë me nënën tuaj, kjo për shkak edhe të humbjes së babait në moshë të vogël, apo jo?
Mua më ka vdekur babai kur isha gjashtë vjeçe, ndërsa motrën e vëllain i kam më të vegjël. Nëna na ka qëndruar gjithmonë pranë e ka qenë tej mase e përkushtuar ndaj nesh, për të mos e ndier mungesën e babait, për të na plotësuar të gjitha nevojat dhe dëshirat tona. Nëna vazhdon të jetë modeli më i mirë i jetës sime.
Një kapitull i rëndësishëm në jetën tuaj është avokatia. Çfarë ju shtyu drejt këtij profesioni?
Më ka pëlqyer gjithmonë fusha e Drejtësisë. Që në moshën 15-vjeçare e kam pasur në kokë që do të studioja në këtë profil dhe ndihem e plotësuar që u diplomova. Avokatia është një nga profilet që e kam për zemër e për të cilin investoj prej vitesh.
Ju merr shumë kohë puna?
Puna më merr shumë kohë, e ndodh që të largohem për orë të tëra nga shtëpia. Është kosto në emër të profesionit. Por, duke gjetur të mesmen e artë mes punës, familjes e fëmijëve, përpiqem të mos i hyj në hak asnjërës palë. Duke qenë edhe shenja e Peshores, shpesh vendos edhe ekuilibra. Jam e ndërgjegjshme që është e vështirë, por të paktën mundohem. Ndodh në orarin e drekës, kur nuk shkoj në shtëpi, që im bir të më marrë shpeshherë në telefon dhe më pyet se kur do të vij, sa do të vonohem. Kjo gjë më dhemb, por përpiqem që mungesën time t’ia kompensoj kur kthehem në shtëpi.
Sidorela, tashmë dihet që bashkëshorti juaj merret me politikë, momentalisht është zv/ministër, po ju ç’interes keni për politikën?
Absolutisht që kam interes për politikën, për sa kohë që im shoq merret me të. Por, interesi im nuk shkon përtej asaj që i takon bashkëshortit tim dhe pozicionit që ai mban.
Sa e keni përkrahur Sokolin në karrierën e tij politike?
Më pëlqen që ai të bëjë karrierë në politikë. Kjo ka bërë që t’i lë atij më shumë hapësirë të lirë për t’u marrë me angazhimet e tij politike, dhe të marr mbi supe më shumë përgjegjësi. Çka do të thotë që merrem më shumë me rritjen e fëmijëve, me shkollimin e tyre dhe gjithë përgjegjësitë e tjera prindërore. Duke qenë të vegjël, më takon mua kjo pjesë, ndërsa mendoj se me rritjen e tyre autoriteti i babait dhe figura e tij duhet dhe do të jetë më e pranishme në jetën e Omarit dhe Rejanës.
ERMIRA ISUFAJ











