Qytetarëve që duan të plotësojnë në mënyrë vullnetare vite të munguara pune, në mënyrë që të përfitojnë pension të plotë ose për të mos humbur vitet e punës, kur ata nuk arrijnë kufirin e duhur të përfitimit, u është krijuar mundësia të “fitojnë” këto vite.Më në detaje këtë e shpjegoi drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Naim Balluku, ditën e djeshme. Sipas tij, shumë qytetarë kanë vite të tëra pune në Shqipëri, por që ato nuk janë të plota për të përfituar pension, në rastin e mbushjes së moshës. Për të mundësuar këtë plotësim të viteve, është vënë në funksion pagesa e kontributeve të sigurimit shoqëror vullnetar për të gjithë këta persona që kanë periudha të paplotësuara të vjetërsisë në punë, në mënyrë që të mund t’i plotësojnë ato dhe të marrin pension. “Dua të theksoj se kategoria më e interesuar është ajo pjesë e qytetarëve që ka më pak se 15 vite pune për të përfituar pension të pjesshëm pleqërie, apo edhe ata që kanë më pak se 35 vite pune për të përfituar pension të plotë pleqërie”, shprehet Balluku. Për të përfituar një pension të plotë pleqërie, kushtet kryesore janë mosha, që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe 35 vite vjetërsi në punë, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë. Aktualisht, deri më 1.7.2011, burrat plotësojnë moshën e pensionit kur të kenë plotësuar 64 vite e 6 muaj dhe gratë 59 vite e 6 muaj. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm, aktualisht kërkohen 15 vite sigurimi. Kjo do të thotë se kur një shtetas ka nën 15 vite sigurimi, nuk futet në kushte përfitimi nga ligji i sigurimeve shoqërore. Pra, në këto kushte, këto vite sigurimi nuk i vlejnë, mbasi nuk përfiton asnjë lloj përfitimi. Në rast se këto periudha i kompenson me sigurim vullnetar, atëherë plotësimi i periudhës prej 15 vitesh do bënte që ky të përfitonte një pension të pjesshëm. Po kështu, në të njëjtën mënyrë, një shtetas që nuk ka mbushur vjetërsinë për pension të plotë, mund të sigurohet për vitet e mbetura, për ta marrë totalisht këtë lloj përfitimi. Pra, problemi qëndron që qytetarët të mos i “djegin” vitet e punës, por të kompletojnë vitet e munguara për të përfituar nga ligji një pension të plotë ose të pjesshëm. “Personi i interesuar për sigurim vullnetar, duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit, ku ai banon dhe duhet të marrë kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar për këtë pagesë, duhet të ketë me vete fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik. Pasi bihet dakord për pagesën, sipas procedurës së përshkruar, dhe bëhet pagesa nga qytetari, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re në qoftë se nuk ka”, shpjegon drejtori Balluku.
Shembull
Aktualisht, kontributi mujor për të përfituar nga kjo skemë, duke filluar nga 01.07.2010, është 3 633 lekë, shumë e cila ndryshon në çdo vit kalendarik. Edhe për sigurimin e periudhave të kaluara do paguhen me këtë shumë, për arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund të paguhen tremujore, dhe kur këto paguhen paradhënie, zbritet 1.5% nga shuma e kontributeve, gjashtëmujore, ku zbritet 3% e kontributeve dhe e, vjetore, ku zbritet 6% e kontributeve. Për të qenë më konkretë, një shtetas ka gjithsej 15 vjet periudhe kohore, të ndarë në 12 vjet periudhë sigurimi dhe tre vjet të pambuluar me sigurim. Ai dëshiron t’i mbulojë këto tre vjet me sigurim vullnetar. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi i interesuar, do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën trevjeçare. Më konkretisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar, është 3 633 lekë x 12 muaj x 3 vjet = 130 788 lekë (për tre vjet).
Kategoritë që mund të bëjnë sigurim vullnetar
Janë një sërë kategorish që përfitojnë nga sigurimi vullnetar për të përfituar ato vite të humbura, në mënyrë që në fund të përfitohet një pension i plotë. Sipas ISSH-së, vazhdimin vullnetar të sigurimit kanë të drejtë ta bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi, bëjnë sigurim vullnetar. Edhe ata persona të interesuar që duan të bëjnë mbulim vullnetar të periudhave të kaluara, por jo të vitit në të cilin jemi, janë një nga kategoritë që mund të përfitojnë nga këto hapësira, që janë krijuar nga ISSH-ja. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Specialistët e ISSH vënë theksin në faktin që sigurimin vullnetar kanë të drejtë ta bëjnë personat e interesuar, të cilët nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin aktual në të cilin jetojmë. Po sa është sasia e kontributit që mund të derdhet për sigurimin vullnetar? Në fakt, në këtë pikë është lënë në fuqi edhe niveli maksimal, kjo e ndërvarur edhe me përfitimin e dëshiruar në të ardhmen. Qytetarët që duan të bëjnë sigurimin vullnetar për këtë qëllim, kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar. Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash, kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.
© Panorama.al











