Si e internoi gjyshi i Ogrenit gjyshin e Ergysit

Mar 5, 2011 | 14:20

Një reality show si ai i “Big Brother” shpesh mund të tejkalojë të gjitha pritshmëritë tona. Në pamje të parë të krijohet ideja sikur aty është vendi i duhur për të marrë të gjitha lajmet gossip të mundshme, ku historitë e dashurisë, tradhtisë, lidhjeve të shkuara dhe zhgënjimeve të provuara, janë produkti final dhe i vetëm. Por ashtu si në jetën e përditshme, nëse kërkon këndvështrime të tjera, mund të zbulosh shumë e shumë më tepër. Kësaj here, ku garues janë Ogren Balluku dhe Ergys Bamçi, ne kemi mundësi të flasim për një temë shumë delikate siç është ai i persekutimeve politike të ndodhura gjatë diktaturës. Të gjithë ndoqëm dy javë më parë historinë e dhimbshme të familjes së Ergysit, ku gjetën veten të gjithë ato familje të internuara dhe burgosura nga regjimi i kohës. Por debati vazhdoi më tej. Një javë më pas, kunati i Ogrenit rrëfeu tek gazeta “Panorama” se edhe Ogreni ka pasur një kalvar vuajtjesh me breza ashtu si Ergysi, madje më shumë se kaq, pasi edhe familja e tij ka qenë e persekutuar. Në lidhje me këtë deklaratë ka diçka për të sqaruar babai i Ergysit, Petriti. Ja çfarë na rrëfen ai.
Ne të gjithë pamë një copëz nga historia e familjes suaj, por nuk na treguat pse u internua dhe persekutua familja juaj?
Në vitin 1947, gjyshi im, Ibrahim Bami, u arratis në Jugosllavi pasi nuk e donte regjimin e Enver Hoxhës. Kjo bëri që menjëherë më pas familja jonë të internohej nga Mamurrasi ku ne jetonim, në Valias, Kuçovë, Tepelenë, Berat e më pas në Savër të Lushnjës ku linda unë, vëllai dhe motra ime. Vëllai im vdiq tre vjeç vetëm për një gjilpërë. Ishte koha kur nënave ua merrnin fëmijët sapo lindnin, urrejta për ne ishte në maksimum. Në vitin 1985, tamam  kur vdiq Enveri unë u martova dhe në kamp lindën të tre fëmijët e mi.
Kunati i Ogrenit ka rrëfyer në një intervistë se Ogreni është më i persekutuar se Ergysi. Ti çfarë mendon?
Mendoj se nuk ka fare vend për të bërë krahasime, pasi është një absurditet. Si mund të krahasosh fajtorin me viktimën? Kur familja jonë është internuar dhe më pas persekutuar me breza, babai i babait të Ogrenit, Beqir Balluku, ishte në instancat më të larta vendimarrëse të regjimit të kohës. Ishte ai regjim që vendosi të shkatërrojë jetët tona dhe të mijëra shqiptarëve të tjerë të pafajshëm.
A mendon se Ergysi është në dijeni të këtij fakti po të kemi parasysh antipatinë e ndërsjellë që kanë me Ogrenin?
Nuk besoj që Ergysi mund ta dijë këtë gjë. Thjesht ai nuk e pëlqen atë si njeri dhe Ergysi ka një natyrë që e shpreh hapur pëlqimin dhe mospëlqimin për dikë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se ne po flasim për ngjarje të më shumë se gjysmë shekulli më parë dhe askush nuk mund të bëhet fajtor nëse gjyshi apo një paraardhës ka pasur një histori të caktuar. Askush nuk mban përgjegjësi për ato që kanë ndodhur më parë, as Ogreni nuk mund të akuzohet për fajet e gjyshit të tij. Por të thuash se vuajtja jonë ngjan me atë të familjes së Ogrenit, kjo nuk ka sens pasi kemi histoi të ndryshme. Ne ishim viktima, ndërsa gjyshi i Ogrenit jo vetëm që nuk ishte viktimë në atë kohë, por ai ka pasur në dorë fatin tim dhe të një kombi në një moment të caktuar. Atij i propozuan sovjetikët që ta rrëzonte Enverin dhe regjimin e tij gjatë kohës kur ai ishte ministër i Mbrojtjes, por ai jo vetëm që e refuzoi por i kërcënoi sovjetikët që do t’i vrasë po qe se do guxojnë ta bëjnë këtë dhe ky është një faj i madh. Ai u dënua me vonë po nga ky regjim, të cilit i shërbeu me kaq devocion, u akuzua prej Enverit si pjesëtar i puçit në ushtri dhe vdiq duke thënë “Rroftë shoku Enver!”. Ai kishte mundësi ta ndryshonte rrjedhën e historisë, ne jo, kjo është diferenca mes nesh.
A mendoni se kjo histori prekëse që ju rrëfyet në ekran do të jetë favorizuese për Ergysin, pasi ju në një farë mënyre keni luajtur me kartën e vuajtjes për të sensibilizuar njerëzit?
Me të thënë të drejtën, unë nuk kam dashur që ta rrëfej atë histori në ekran, as Ergysi vetë nuk do që t’i kthehemi asaj historie, pasi duam të shohim përpara. Ka qenë ideja dhe këmbëngulja e stafit të “Big Brother” që ta sillnim atë histori si një plagë sociale që nuk na përket vetëm ne.
Megjithë kalvarin e familjes suaj, Ergysi ka shfaqur një natyrë opimiste, por edhe artistike gjë që e favorizon në lojë. Po defekte i shihni ju si baba që e njihni më mirë se ne?
Unë jam shumë i lidhur me Ergysin dhe ia njoh skutat më të errëta të shpirtit dhe mendjes së tij. Ai ka një problem, pasi nuk po arrin ta shfaqë gjithë veten e tij, sepse ambienti aty nuk e lejon. Ai grup që është aty nuk e lejon Ergysin ta shpalosë veten e tij deri në fund.
A e shihni djalin tuaj në finale?
Jo vetëm aq, unë e them me siguri absolute, duke parë edhe banorët e tjerë që Ergysi do ta fitojë “Big Brother-in”.
Po konkurrent tjetër të fortë kë shihni?
Mbase Shkëlqimin.
Si ka mundësi që Ergysi nuk u afrua me asnjë vajzë për të krijuar lidhje, duke ditur që kjo pjesë të favorizon shumë në lojë?
Unë mendoj të kundërtën, që kjo gjë nuk të favorizon aspak. Ergysi ka hyrë me mendimin që të mos lidhet me asnjë vajzë aty. Ai vend quhet shtëpi dhe në një shtëpi duhen konsideruar motra e vëllezër ata me të cilët ke dëshirë të rrish.
A ju ka thënë Ergysi se çfarë do të bëjë me 100 milionët po t’i fitojë?
Po, ai ka ndërmend që t’i investojë të gjitha për një studio profesionale si një nga pasionet e tij të mëdha.

Një arsimtar çek i dhuron Ergysit dhe të vëllait një vilë në Durrës

Kjo është një histori e pabesueshme, por e vërtetë dhe na e tregon vetë babai i Ergysit. Kur ishin të vegjel Ergysi dhe vëllai i tij, Arbri, bënin plazhin në Durrës dhe aty u njohën me një arsimtar çek, me të cilin lidhën miqësi. Çeku u afeksionua shumë mbas dy djemve, të cilët i shihte si dy fëmijë shumë të shkathët dhe të zgjuar. Kështu lindi miqësi mes tyre, të cilën e ruajnë edhe sot e kësaj dite, pasi çeku vjen për çdo vit në Durrë për pushime. Verën e kaluar, çeku kishte vendosur t’ju bënte djemve një surprizë, ai iu tha atyre që t’i gjenin një vilë në bregdetin e Durrësit e cila duhet të ishte me dy kate dhe Ergysi me të vëllanë filluan kërkimet për ta gjetur. Më pas, çeku iu rrëfeu se këtë vilë nuk e donte për vete por për t’ia bërë dhuratë djemve. Ai iu hapi atyre një llogari bankare ku ka filluar të derdhë paratë që duhen për të paguar shtëpinë. Kështu Ergysi do të ketë shtëpinë e tij së bashku me të vëllanë dhe mbi të gjitha do të jetojë në Durrës, një qytet që ai e pëlqen shumë.

 

ERMIRA SHPETIMI

© Panorama.al

Te lidhura