Kur ndahet nga jeta një aktore që ka bërë historinë e kinemasë, është e thjeshtë të thuash se u shua një yll. Në rastin e Elisabet Tejlorit nuk bëhet fjalë për retorikë boshe. Me Liz Tejlorin largohet ylli i fundit i Hollivudit të madh të viteve ’50-’70, ajo që ishte në gjendje të bënte ende të ëndërronte gjithë botën.Hera e fundit që u shfaq në publik ishte fundqershori i vitit 2009, në funeralin e mikut të saj të ngushtë, Majkëll Xhekson. Pastaj iu largua projektorëve, nën të cilët kishte kaluar gjithë jetën. Lajmi për vdekjen e saj u dha dje në mëngjes nga mediat amerikane. Ajo vdiq në spitalin “Cedar Sinai Medical Center”, në Los Anxhelos, ku ishte shtruar prej disa javësh. Në vitin 2004 ajo bëri të njohur se vuante nga një insufiçensë e rëndë kardiake dhe sipas CNN, kjo ka qenë edhe arsyeja e vdekjes së saj. Prej vitesh ylli i Hollivudit ishte e detyruar të ecte me karrige me rrota për shkak të një problemi në shpinë, që e kishte qysh 9 vjeçe. Mësohet se pranë saj kanë qenë të katër fëmijët e saj. I biri, Michael Wilding, u shpreh për mediat se “do të jemi gjithnjë të frymëzuar nga kontributi i saj i rëndësishëm në botën ku jetojmë. Bota ka humbur një grua të jashtëzakonshme”.
Karriera
Lindi në Angli më 27 shkurt 1932, por prindërit e saj u zhvendosën në Los Anxhelos me shpërthimin e Luftës në Europë. E bija e një tregtari veprash arti dhe një ish-artisteje të famshme, me emrin e artit Sara Sothern, suksesin e parë e arriti qysh në moshën 11 vjeçe, me filmin “Kthehu në shtëpi Lesi”, ndërkohë që kishte debutuar në kinema një vit më parë. Sukseset ndoqën njëri-tjetrin me filma si “Gra të vogla”, dy filma të Vincent Minnell-it, “Babai i nuses” dhe “Babai u bë gjysh” (1950-1951), “Një vend në diell”. Por periudha më e artë e karrierës së saj ishte fundi i viteve ’50 dhe fillimi i atyre ’60, me filma që bënë histori, si “Gjigandi”, “Pema e jetës”, “Macja në çatinë e nxehtë”, “Papritur verën që shkoi”, “Butterfield 8” dhe “Kleopatra”. Në këtë të fundit lindi edhe një histori me Richard Burton, me të cilin u martua dy herë, së pari në vitin 1964, u divorcuan më 1974-n. Pas më pak se një vit u rimartuan për t’u ndarë në korrikun e vitit 1976. Është fituese e dy çmimeve “Oskar” si aktorja më e mirë protagoniste. Të parin e fitoi në vitin 1960, për interpretimin e rolit të Gloria Wandrous në “Butterfield 8”, ku interpretoi në krah të njërit prej bashkëshortëve të saj, Eddie Fisher. “Oskarin” e dytë e fitoi në vitin 1966, me rolin e Martës te “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, ku interpretoi në krah të një tjetër bashkëshorti, Richard Burton. Dalëngadalë rolet e mëdha filluan të bëheshin më të pakta. Interpretoi deri në vitin 2001. Pasi zbuloi të ishte e sëmurë, nisi të merrej më shumë me aktivitete bamirësie. Gjatë jetës së saj Liza u martua 8 herë, mbeti një herë e ve dhe pati 4 fëmijë.











