ILIR KALEMAJ
Gara elektorale në SHBA, e cila ka filluar ethshëm në kampin republikan, ofron një tablo interesante të dinamikës. Është për t‘u theksuar qysh në fillim se ndërsa në Tiranë konsiderohen si klishe apo anakronizma debatet ideologjike apo çështjet ideore, në SHBA, ashtu sikundër në gjithë hemisferën perëndimore, janë pikërisht debate të nisura nga pozicionime të tilla që përcaktojnë identitetin politik të kandidatëve, vendin e tyre reciprok në skakierën politike dhe platformat elektorale që do shërbejnë si pikënisje për platformën qeverisëse të së nesërmes në rast fitoreje. Për shembull, subjekte të tilla si evolucioni, aborti apo ngrohja globale, janë çështje mjaft të debatueshme dhe me ndjeshmëri të lartë shoqërore, veçanërisht për votuesit e regjistruar republikanë dhe demokratë që kanë bindje të palëkundura në këto fusha, por edhe për të pavendosurit. Janë çështje që përcaktojnë identitetin politik të kandidatëve, si dhe besueshmërinë e tyre në raport me bazën militante të partisë që përfaqësojnë, por edhe me popullsinë “gri”, duke përpjekur të ruajnë si konsistencën, ashtu dhe balancat. Duke qenë se në kampin demokrat nuk ka surprizë për emrin e kandidatit të ardhshëm presidencial, vëmendja mediatike është përqendruar ekskluzivisht te republikanët. Rick Perry, guvernatori i sapofutur në garë, ka financimin e lobeve të fuqishme të naftës të vendosura në shtetin e madh dhe të rëndësishëm të Teksasit, në të njëjtën linjë me paraardhësin e tij Bush, dhe shanset duket se i ka mjaft më të mira nga kandidatët e tjerë republikanë, përfshirë ish-guvernatorin dhe biznesmenin Romni. Kjo duket nga fakti që është i vetmi kandidat që shenjon rritje dyshifrore nga momenti i shpalljes se kandidaturës, ndërkohë që hyrja e tij në garë i uli respektivisht kandidatët e tij kryesorë, Romney dhe Bachmann, me tre dhe gjashtë pikë.
Një nga faktorët që e bën teksanin Perry kaq joshës për bazën republikane është fakti që ai bashkon dy kolonat kryesore të kësaj partie politike, që janë respektivisht konservatorët fiskalë dhe konservatorët socialë. Të parët, së bashku me libertarianët e Ron Paul-it, një kandidat thuajse i përhershëm republikan prej më se dy dekadash, besojnë në tregtinë e lirë, kufizimin e ndërhyrjes qeveritare dhe reduktimin e burokracisë qendrore duke i dhënë më tepër autonomi qeverisjes lokale. Gjithashtu janë për ulje të vazhdueshme taksash, veçanërisht për korporatat dhe kompanitë e mëdha duke favorizuar ekonomitë e shkallës dhe çmime të ulëta për konsumatorët, të bindur që kjo është mënyra më e mirë për të stimuluar rritjen ekonomike.
Ndërsa konservatorët socialë kanë si tema kryesore të ligjërimit të tyre politik: lëvizjen pro jetës (që kundërshton abortin), shenjtërinë e familjes, kombit (duke favorizuar më tepër kursin izolacionist të SHBA-ve). Po ashtu, favorizojnë një qasje më të ngushtë në raportet mes Kishës dhe shtetit dhe bazojnë një pjesë të mbështetjes së tyre në Jugun konservator, të përbërë në masë të madhe nga evangjelistët apo të “rilindurit” e krishterë. Gjithashtu kundërshtojnë teorinë e darvinizmit social dhe janë për reformimin e sistemit publik të edukimit në një linjë më konservatore. Kundërshtojnë kërkimin qelizor (stem-cell research) për qëllime mjekësore, si dhe janë skeptikë të fenomenit të ngrohjes globale duke besuar se bëhet më tepër fjalë për një teori konspirative, sesa një fakt real që kërkon pikërisht masa konkrete që prekin financat e korporatave.
Një nga kandidatët që i bashkon këto dy korrente kryesore në Partinë Republikane është pikërisht Perry, ndaj shihet dhe si basti më i mundshëm i republikanëve për kandidat përballë Obamës. Natyrisht, nuk është për t‘u nënvlerësuar, pasi ashtu sikundër Bushi ndaj Al Gores, ka të njëjtin aparat biznesmenësh të fuqishëm, lobesh dhe interesash të ndërlidhura që e mbështesin, ndonëse duket atipik për shtresën kozmopolite të bregut lindor dhe perëndimor të vendit. Ashtu sikundër Bushi ia arriti të mundte ngushtësisht kandidatin Gore (me vote elektorale, pasi e humbi atë popullore), ia doli të rrinte edhe një katërvjeçar tjetër në pushtet pas fitores së lehtë me bostonianin Kerry, i cili konsiderohej shumë liberal për pjesën dërrmuese të shoqërisë amerikane.
Gjithsesi, do të jetë një garë e vështirë për cilindo kandidat republikan, pasi Obama ka arritur që të kombinojë mjeshtërisht efektet e teknologjisë mediatike me rrjetet komunitare dhe financimin e duhur për të qenë thuajse kandidati perfekt në gara të tilla. Stili dhe karizma individuale që shëmbëllen me atë të Kenedit apo Bill Klintonit, përpunimi mediatik për të cilin bashkë me stafin e ngushtë kanë krijuar një eksperiencë jo të pakët, rrjetet sociale të krijuara, efekti i kapjes së Bin Ladenit dhe një lidership që ndonëse duket i lëkundur, disi i dobët dhe me bazë konsensuale, gjithsesi ka shmangur skandalet apo afera të përfolura dhe qëndron solid. Një tjetër sukses është edhe reforma shëndetësore, duke hedhur një hap të guximshëm në një nga sektorët më të ndjeshëm dhe më të kapur nga interesat e shoqërive të mëdha farmaceutike të lidhura me lobet republikane. Dobësitë më të mëdha të administratës aktuale janë ekonomia, ku rritja e papunësisë dhe reforma e shtyrë e sigurimeve shoqërore, bashkë me rritjen e borxhit, kanë për të qenë dhe “thembra e Akilit” ku republikanët do të sulmojnë më fort, ndoshta duke ripërdorur parullën klintoniane “it`s the economy stupid” ndaj Bushit në fillimvitet ‘90, çka rezultoi e suksesshme atëherë. Gjithsesi, nëse ekonomia rimëkëmbet ngadalë dhe administrata aktuale shpëton nga kryerja e ndonjë gafe të rëndë apo megaskandali që mund të cenojë bazat e pushtetit demokrat, duket se pak shanse ka që cilido kandidat republikan të dalë të shfronësojë një nga risitë politike të kohëve moderne: Barak Obamën.











