
Qytetarët e Tiranës, të cilët nuk kanë hipotekë, pritet që brenda një kohe të shkurtër të marrin certifikatën e pronësisë për banesat e tyre. Javën e dytë të muajit nëntor pritet të përfitojnë një listë e gjatë familjesh. Gjithçka do të arrihet në sajë të memorandumit të bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Punëve Publike dhe asaj të Drejtësisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, i cili e inicioi këtë marrëveshje, u shpreh se problemi i lejeve të shfrytëzimit për pallatet e reja kërkon zgjidhje urgjente, pasi ka mbetur peng për shkak të mosbashkëpunimit me institucionet e tjera. “Vetë qyteti është deprivuar nga një shumë 500-700 milionë euro, shumë kolaterali që përfaqësojnë këto apartamente sot të pahipotekuara. Nesër, me përfundimin e këtij procesi, do të jenë jo vetëm pasuri e këtyre qytetarëve, e regjistruar në emër të tyre, por dhe një kolateral i fuqishëm, i regjistruar në bankat e qytetit të Tiranës dhe një garanci për investime, për rritje ekonomike dhe për punësim”, tha Basha. Sipas tij, banorët që kanë blerë apartamentet e tyre në pallate që nuk kanë absolutisht asnjë përgjegjësi për shkeljet nga ndërtuesi, nuk do të deprivohen më nga e drejta e tyre kushtetuese dhe ligjore për të pasur titullin e pronësisë”. Ky proces mund të ishte bërë shumë më herët, por, për shkak të dallimeve konceptuale që ka pasur Bashkia e djeshme me Bashkinë e sotme, nuk ka qenë e mundur. “Nuk ka qenë e mundur, pasi për asnjë çast nuk ka pasur gatishmëri bashkëpunimi”, tha ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Ndërsa ai i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se me këtë memorandum u jepet fund burokracive për t’u pajisur me hipotekë, pasi në javët në vazhdim pritet të hartohen akte të reja nënligjore. “Ky memorandum do të bëjë të mundur implementimin e këtyre akteve nënligjore dhe finalizimin e përfundimit të procesit të regjistrimit të apartamenteve të Tiranës”, tha Halimi. Sipas Bashës, në javët e para të nëntorit pritet të konkretizohet fillimi i kësaj nisme, që do të përfshijë një listë të gjatë familjesh në Tiranë, të cilat presin të ligjërojnë banesat e tyre. Në kryeqytet ka të paktën tri kategori ndërtimesh të pahipotekuara ende. Kategoria e parë përfshin qytetarët që kanë ndërtuar në tokën e tyre, por që e kanë bërë këtë pa leje. Kategoria e dytë janë ndërtimet e ngritura mbi pronat shtetërore dhe së fundi vijnë ato ndërtime që janë bërë në tokën e pronarëve të tjerë. Sa u përket pallateve që kanë devijuar nga projekti, Basha theksoi se ndonëse kjo është kategoria problematike me të cilën merret ky memorandum dhe aktet e tjera që po hartohen në Bashkinë e Tiranës dhe që do të hartohen dhe nga qeverisja qendrore. “Çdo pretendim për të kryer ndërhyrje drastike, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërtesa shumëkatëshe, do të ishte jorealist, por në Bashkia e Tiranës, duke mbrojtur interesin publik, në çdo rast do të kërkojmë përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e plotë të atyre që kanë bërë këto shkelje, por kjo në asnjë moment nuk do të ndalojë procesin e hipotekimit të banorëve që jetojnë në këto pallate”, tha Basha.
Certifikata e pronësisë, me postë për 450 pallate
Certifikata e pronësisë do t’u dërgohet me postë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Këtë e përcakton marrëveshja e nënshkruar dje. Janë rreth 450 pallate të pahipotekuara dhe mbi 5 mijë e 700 shtesa pa leje në pallate. Memorandumi i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve Publike, pritet t’i hapë rrugën certifikimit të pronës të këtyre objekteve. Dokumenti përcakton detajet dhe rrugën për të legalizuar këto pasuri të paluajtshme. Bashkia e Tiranës do të evidentojë kërkesat dhe objektet që u mungon leja e shfrytëzimit. Lista e këtyre objekteve do t‘i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë, e cila, nëpërmjet Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, do të identifikojë të gjithë problematikën e kërkesave që kanë ngelur pezull. Memorandumi ka si qëllim kryesor që qytetarët të pajisen me certifikatat e tyre të pronësisë. Devijimi nga leja e ndërtimit, problemet me pagesën e tatimeve dhe mos deklarimi do të shmangen dhe do të bëhet regjistrimi i objekteve. Në memorandum nuk jepen afate për regjistrimin e pronave, por përcaktohet që brenda 10 ditëve nga nënshkrimi, 3 institucionet të përcaktojnë personin përgjegjës për këtë proces. Pas kësaj urdhërohet regjistrimi i pasurisë dhe dërgimi me postë i certifikatës së pronësisë. Zyrat hipotekore, pasi të lëshojnë certifikatën e pronës, kanë për detyrë që të raportojnë në Ministrinë e Financave rastet kur ndërtuesit nuk kanë paguar detyrimet tatimore me qëllim që të nisë vjelja e tyre. Detyrë tjetër është që të dhënat për objektet e regjistruara t‘i dërgohen dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe ALUIZN-it.
Koordinimi
Ministri i Drejtësisë u shpreh se, “pa dyshim që Bashkia e Tiranës ka barrën kryesore të ndalimit të hipotekimit në një numër shumë të madh rastesh, duke mos dhënë lejet e shfrytëzimit. “Por, pa dyshim, koordinimi me institucionet e tjera që kanë përgjegjësitë e tyre, siç është në rastin e Ministrisë së Drejtësisë ZRPP, që është hallka përfundimtare e këtij procesi, është i domosdoshëm për ta përfunduar procesin në parametra optimalë për një numër kaq të madh qytetarësh”.
Basha me biçikletë në punë
Dje në ditën pa makina kryebashkiaku Lulëzim Basha përdori biçikletën për të shkuar në zyrë. Basha përcolli disa premtime për korsi të reja për biçikletat apo për një linjë të re moderne të transportit publik. Ra në sy gjithashtu krahu tashmë jo i fashuar i kryebashkiakut, i cili duket se tashmë është shëruar. “Së pari, duhet të sigurojmë stacione biçikletash në të gjithë qytetin dhe Bashkia do të nisë menjëherë nga puna për ta bërë këtë realitet me financimet e veta dhe në partneritet me sektorin privat”, tha Basha.
“PËR REGJISTRIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME NË NJËSINË VENDORE TIRANË”
Ministri i Drejtësisë, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, si dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë (në vijim të quajtura “Palët”)
Duke vlerësuar rëndësinë e të drejtës themelore të qytetarit mbi pronësinë dhe të sigurisë juridike mbi të, si kushte themelore të nxitjes së investimeve, zhvillimit ekonomik dhe parandalimit të korrupsionit;
Duke konfirmuar vullnetin politik dhe angazhimin maksimal për të siguruar dhe zbatuar të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe ekzekutive për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në njësinë e qeverisjes vendore Tiranë;
Duke konsideruar si një ndër objektivat prioritarë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre realizimin e të drejtës së pronësisë së qytetarëve mbështetur në parimet e barazisë përpara ligjit dhe sigurisë juridike;
Duke afirmuar vullnetin e mirë dhe vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe kontribuuar në mënyrë konstruktive dhe thelbësore në funksion të realizimit të qëllimit të këtij memorandumi;
Duke u mbështetur në kuadrin e plotë ligjor që normon veprimtarinë e tyre institucionale dhe administrative: në ligjin nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, në ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar , në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar dhe në ligjin nr. 8654, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës”; si dhe në ligjin 8652, datë 31.7.200 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” i ndryshuar;
Kanë rënë dakord të lidhin këtë Memorandum Bashkëpunimi (në vijim “Memorandumi”).
Neni 1
Qëllimi
1. Qëllimi i memorandumit është heqja e çdo barriere të mundshme ndaj qytetarëve dhe mbrojtja efektive e të drejtave të pronësisë përmes marrjes së masave të ndërsjellta për të mundësuar regjistrimin e pasurive të paluajshme në njësinë e qeverisjes vendore Tiranë të realizuar nga bashkëpunimi i ndërsjellë dhe bashkërendimi ndërmjet Palëve, për të:
i. përmirësuar aksesin e qytetarëve dhe nivelin e shërbimeve ndaj tyre me përparësi, cilësi, efiçencë, profesionalizëm dhe integritet në çështjet që lidhen me regjistrimin e pasurive të paluajtshme;
ii. përfshirë në qarkullimin civil pasuri të paluajtshme tashmë të krijuara në funksion të zhvillimit ekonomik;
iii. rritur besueshmërinë e institucioneve shqiptare lidhur me aftësitë e tyre menaxheriale nën parimin e roleve dhe përgjegjësive të ndara, përballë partnerëve ndërkombëtarë që kanë investuar për zhvillimin e infrastrukturës në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
iv. përmbushur objektivat e marrëveshjeve të financimit në kuadër të projekteve të asistencës ndërkombëtare, nëse ka të tilla.
Neni 2
Forma e bashkëpunimit
1. Bashkëpunimi sipas këtij Memorandumi realizohet nëpërmjet:
i. Bashkërendimit në dhënien e informacionit për sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Bashkinë Tiranë për aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit, mënyrat e ushtrimit të të drejtave të individit dhe detyrimeve të strukturave shtetërore, si dhe dhënia e asistencës në hartimin e dokumenteve juridike apo në forma të tjera, në çështjet që lidhen me regjistrimin e pasurive të paluajtshme;
ii. Bashkërendimit në dhënien e shërbimeve ndaj qytetarit përgjatë procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sidomos në rastet kur krijimi apo ndërtimi i pasurisë së paluajtshme realizohet me leje të strukturave të qeverisjes vendore apo legalizohen nga ALUIZNI;
iii. Pjesëmarrjes në grupet e punës për të dhënë mendime në hartimin e akteve normative për çështje që lidhen me regjistrimin e pasurive të paluajtshme;
iv. Nxitjes dhe marrjes së masave mbi sensibilizimin e publikut dhe edukimin e tij, mbi llojin dhe procedurat e shërbimeve të ofruara, nëpërmjet publikimeve, fushatave televizive dhe medias së shkruar;
v. Programimit të takimeve periodike për shkëmbimin e informacionit mbi aktivitetet e realizuara dhe bashkërendimin e atyre aktiviteteve që vlerësohen të nevojshme për t’u ndërmarrë në të ardhmen, të cilat do të jenë rrjedhojë e situatave të ndeshura në praktikë;
vi. Shkëmbimin e përbashkët të statistikave që kanë për bazë numrin e rasteve të raportuara problematike me qëllim analizimin e tyre për hartimin e politikave të mëtejshme të nevojshme për përmirësimin e aksesit të qytetarëve dhe barazisë para ligjit;
vii. Kryerjes së analizave dhe studimeve të përbashkëta me qëllim nxjerrjen e rekomandimeve të karakterit ligjor dhe administrativ dhe vënien e tyre në dispozicion të Palëve, të cilat do të vlerësojnë nevojën dhe formën e ndërhyrjeve konkrete bazuar në kompetencat ligjore.
Neni 3
Angazhimet e Ministrisë së Drejtësisë
1. Palët bien dakord që Ministria e Drejtësisë, përmes strukturave të saj, për arritjen e qëllimeve të këtij memorandumi, kryen detyrat e përcaktuara në aneksin 1, bashkëlidhur këtij memorandumi dhe pjesë përbërëse e tij.
Neni 4
Angazhimet e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit
1. Palët bien dakord që Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, përmes strukturave të saj, për arritjen e qëllimeve të këtij memorandumi, kryen detyrat e përcaktuara në aneksin 2, bashkëlidhur këtij memorandumi dhe pjesë përbërëse e tij.
Neni 5
Angazhimet e Bashkisë Tiranë
1. Palët bien dakord që Bashkia Tiranë, përmes strukturave të saj, për arritjen e qëllimeve të këtij memorandumi, kryen detyrat e përcaktuara në aneksin 3, bashkëlidhur këtij memorandumi dhe pjesë përbërëse e tij.
Neni 6
Komunikimi mes palëve
1. Palët angazhohen të mbajnë një komunikim të vazhdueshëm ndërmjet tyre dhe të shkëmbejnë çdo informacion të nevojshëm për përmbushjen e detyrave të tyre. Komunikimi do të kryhet në formë shkresore ose në rrugë elektronike. Në çdo rast të paraqitjes së një kërkese, palët angazhohen të japin përgjigje brenda 10 ditëve.
2. Palët, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e memorandumit, caktojnë një person kontakti që është përgjegjës për shkëmbimin e informacionit dhe të kërkesave të palëve në zbatim të memorandumit.
3. Personat e kontaktit janë të disponueshëm në çdo kohë për komunikimin dhe koordinimin me palën tjetër me qëllim rakordimin e veprimeve që duhet të ndërmerren rast pas rasti.
4. Me anë të përfaqësuesve palët përcaktojnë radhën e mbledhjeve të grupeve të punës, kohëzgjatjen dhe periodicitetin e këtyre mbledhjeve.
Neni 7
Ndryshimi i Memorandumit
1. Ky memorandum mund të ndryshojë vetëm me marrëveshje të palëve nëpërmjet shkëmbimit të komunikimit me shkrim.
Neni 8
Përfundimi i Memorandumit
1. Memorandumi lidhet pa afat, por mund të përfundojë në çdo kohë. Përfundimi hyn në fuqi një muaj pas marrjes së njoftimit me shkrim nga një prej Palëve.
2. Deri në përfundimin e këtij memorandumi, palët iu përmbahen kushteve që rrjedhin nga ky Memorandum, përsa i përket informacionit dhe dokumentave të shkëmbyera përpara datës së përfundimit.
Neni 9
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
1. Çdo mosmarrëveshje lidhur me interpretimin ose zbatimin e këtij memorandumi zgjidhet me mirëkuptim mes palëve.
Neni 10
Hyrja në Fuqi
1. Memorandum i Bashkëpunimit hyn në fuqi ditën e nënshkrimit të saj dhe publikohet në faqet zyrtare të internetit të palëve.
Anekset e memorandumit
Aneks 1
Detyrat e veçanta të Ministrisë së Drejtësisë
1. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar kërkesat për regjistrim apo ka kufizuar veprimet mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon leja e shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë;
iii. Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP, pas pajisjes me leje shfrytëzimi nga Bashkia Tiranë;
iv. Dërgojë tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, çertifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme;
v. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.
2. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, ato raste që ka dijeni të kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë ALUIZNI-t nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit;
iii. Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP, pas pajisjes së tyre me leje legalizimi nga ALUIZNI;
iv. Dërgojë tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, çertifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme;
v. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
3. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon dokumenti i shlyerjes së detyrimeve tatimore, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë Ministrisë së Financave dhe strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë;
iii. Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP;
iv. Dërgojë tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, çertifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme dhe të njoftojë administratën tatimore, nëpërmjet Ministrisë së Financave, për regjistrimin e pasurive për qëllime të mbledhjes së detyrimeve tatimore;
v. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Financave.
4. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se të dhënat e lejes së ndërtimit nuk përputhen me të dhënat e lejes së shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
ii. Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura nëpërmjet ZRPP-së me ato të dërguara nga Bashkia Tiranë;
iii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë;
iv. Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP;
v. Dërgojë, tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së çertifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme;
vi. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.
5. Ministria e Drejtësisë merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e të akteve ligjore dhe nënligjore, në fushën e veprimtarisë së saj, të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij Memorandumi.
Aneks 2
Detyrat e veçanta të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit
1. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ALUIZNI-t, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
ii. Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura nëpërmjet ALUIZNI-t me ato të dërguara nga Ministria e Drejtësisë dhe Bashkia Tiranë;
iii. Finalizojë, nëpërmjet ALUIZNI-t procesin e legalizimit të këtyre pasurive;
iv. Dërgojë, nëpërmjet ALUIZNI-t për regjistrim këto pasuri pas pajisjes së tyre me leje legalizimi, duke njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Bashkinë Tiranë;
v. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Bashkinë Tiranë.
2. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e të akteve ligjore dhe nënligjore, në fushën e veprimtarisë së saj, të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.
Aneks 3
Detyrat e veçanta të Bashkisë Tiranë
1. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar kërkesat për regjistrim apo ka kufizuar veprimet mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon leja e shfrytëzimit, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet e përfunduara me leje ndërtimi, për të cilat nuk është dhënë leja e shfrytëzimit;
ii. Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura me ato të dërguara nga Ministria e Drejtësisë;
iii. Shqyrtojë dhe lëshojë lejet e shfrytëzimit rast pas rasti në përputhje me legjislacionin në fuqi, për pasuritë që nuk vepron legjislacioni mbi legalizimet e ndërtimeve informale;
iv. Dërgojë rast pas rasti për regjistrim në ZVRPP Tiranë lejet e shfrytëzimit të lëshuara;
v. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.
2. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet, për të cilat është kërkuar leje legalizimi;
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë ALUIZNI-t nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, të cilat janë depozituar për legalizim pranë ALUIZNI-t sipas afateve ligjore;
iii. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
3. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon dokumenti i shlyerjes së detyrimeve tatimore, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet për të cilat dokumentacioni tekniko ligjor i ndërtimit është i plotë, por regjistrimi nuk është kryer nga ZVRPP Tiranë kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë;
iii. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.
4. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se të dhënat e lejes së ndërtimit nuk përputhen me të dhënat e lejes së shfrytëzimit, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
i. Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
ii. Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë;
iii. Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.
5. Bashkia Tiranë merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e urdhëresave, vendimeve dhe urdhrave të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











