Partia Demokratike Europiane (European Democrats) ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Tiranë, duke publikuar një mesazh të fortë në rrjetet sociale, ku shpreh mbështetje për qytetarët shqiptarë dhe kritika ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në postimin e shpërndarë nga llogaria zyrtare e European Democrats, shfaqet një foto nga protesta masive në kryeqytet me mbishkrimin: “Shqipëria ka nevojë për Europën, jo për oligarkët”, ndërsa në sfond duket pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në bulevard.
Në deklaratën e tyre, Demokratët Europianë theksojnë se demonstrata e djeshme përcolli një mesazh të qartë për të ardhmen që kërkojnë shqiptarët.
“Demonstrata masive e djeshme dërgoi një mesazh të qartë: shqiptarët duan një të ardhme europiane, jo marrëveshje private për oligarkët. Edi Rama duhet të zgjedhë transparencën, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e natyrës përpara marrëveshjeve të bëra prapa dyerve të mbyllura dhe privilegjeve për të fuqishmit. Shqipëria nuk është në shitje”, thuhet në reagimin e tyre.
Ky qëndrim vjen në një moment kur protesta dhe debatet mbi projektet e diskutueshme të qeverisë kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare.
Mesazhi i European Democrats konsiderohet si një sinjal politik në mbështetje të kërkesave për më shumë transparencë, forcim të shtetit ligjor dhe respektim të standardeve europiane në proceset vendimmarrëse në Shqipëri.
© Panorama.al













