TIRANË- Presidenti Bamir Topi ka uruar homologun amerikan, Barak Obama me rastin e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Përmes një telegrami urimi, Topi ka kujtuar se që nga viti 1946, historia e marrëdhënieve mes dy vendeve fatkeqësisht provoi një ngrirje të gjithanshme, pavarësisht se SHBA përgjatë gjithë historisë moderne të Shqipërisë ka dhënë një kontribut të vyer dhe një mbështetje të jashtëzakonshme për interesat jetike të kombit shqiptar.
Sipas Topit, sot Shqipëria është aleate besnike dhe partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur ngushtë nga interesa dhe vlera të përbashkëta, anëtare e denjë dhe e sprovuar e NATO-s, kontribuese e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit. “Marrëdhëniet e gjithanshme të shkëlqyera dypalëshe janë në kulmin e tyre, duke u shërbyer interesave të përbashkëta të dy vendeve dhe popujve tanë”- thuhet në mesazhin e Topit.
Ai ka shprehur në emër të gjithë shqiptarëve, vlerësimin më të lartë për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe ka siguruar se Shqipëria e populli shqiptar janë të vendosur në rrugën drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike, duke përmbushur të gjitha standardet e një demokracie perëndimore model, siç është ajo e vendit mik dhe aleatit të madh, SHBA.
© Panorama.al











