Shpëtoi burrin nga vrasja, plagoset

Mar 11, 2011 | 13:44

Sipas policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Bardhaj, ku mbeti e plagosur me dy plumba në trup shtetasja Liza Dermani. Pas krimit të rëndë, policia arrestoi autorin e saj, Kristian Lacuku, 20 vjeç. Nga hetimet e kryera rezultoi se çifti i ri Nikolin dhe Liza Dermani po ktheheshin në shtëpinë e tyre në Bardhaj kur ndodhi ngjarja. Në një nga rrugët e errëta të fshatit, Kristian Lacuku u ka dalë para dhe ka nisur të debatojë me 26-vjeçarin Dermani. Pasi kanë shkëmbyer fjalë dhe është acaruar situata mes tyre, Kristian Lacuku ka nxjerrë armën automatike që kishte me vete, me qëllim që të qëllojë personin me të cilin u konfliktua. Por në këtë moment ka ndërhyrë 23- vjeçarja, duke i dalë përpara të shoqit. Plumbat kanë kapur gruan e re, duke e lënë të plagosur rëndë. Menjëherë pas krismave, autori është larguar, ndërsa banorët e fshatit shkuan në vendin e ngjarjes për t’i dhënë ndihmë viktimës. Ata gjetën bashkëshortin e saj teksa po mundohej t’i jepte ndihmën e parë, ndërsa e reja ishte e mbuluar me gjak. Policia e Shkodrës mbërriti në vendin e ngjarjes dhe 30 minuta më pas arriti të arrestojë autorin. Ai pranoi krimin e kryer, duke pohuar se kishte dashur vetëm ta trembte 26-vjeçarin, i cili prej disa kohësh i kishte një shumë parash borxh, që nuk po ia kthente. Policia dërgoi me urgjencë në spital edhe të plagosurën, e cila pasi mori ndihmën e parë në Shkodër, u transportua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për një trajtim më të specializuar, për shkak se jeta e saj ishte në rrezik. Policia tha se Kristian Lacuku, nga fshati Beltojë, Komuna Bërdicë, ka qenë edhe më parë i dënuar për vjedhje. Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Në pyetje për ngjarjen është marrë edhe bashkëshorti i të plagosurës, i cili deponoi gjithçka kishte ndodhur në rrugën e fshatit të tij.

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura