
KRUJE- Sekuestrohet një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive dhe municionesh në një banesë, në fshatin Halil të Krujës. Policia bëri të ditur se arrestoi shtetasin Imer Keqi, 51 vjeç, banor i këtij fshati. Gjatë kontrollit në banesën e tij, blutë sekuestruan 28 kapsolla detonatore, si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh të kalibrave të ndryshëm. Burime nga Policia e Durrësit bënë të ditur se kanë dyshime që 51-vjeçari Keqi të ketë lidhje me shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e së hënës, pranë fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Të njëjtat burime saktësuan se lënda plasëse e gjetur gjatë kontrollit në banesën e tij korrespondon me atë që është përdorur në dy atentatet, që ndodhën njëri pas tjetrit në shinat e trenit, që të çojnë në fabrikën e çimentos. Kontrolli i befasishëm i ndërmarrë nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me atë të Krujës, u bë pas vendosjes së një sasie lënde plasëse, në një distancë rreth 200 metra larg fabrikës së çimentos në fshatin Zallë të Fushë- Krujës. “Nga veprimet hetimore e procedurale të kryera paraprakisht, dyshohet që shtetasi Imer Keqi të jetë bashkautor në ngjarjen e ndodhur në Fushë-Krujë, ngjarje për të cilën nga ana e policisë u shoqëruan në komisariat 20 persona gjithsej”, bënë të ditur burime të policisë. Mësohet se i arrestuari nuk ka pranuar të jetë i implikuar me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës. Ndërkaq, policia bëri të ditur se puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale do të vijojnë edhe ditët në vazhdim, ashtu sikurse edhe masa në drejtim të goditjes së kësaj veprimtarie. Ndërsa kapsollat detonatore, si dhe një sërë provash të tjera të gjetura në banesën e 51-vjeçarit, u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në laboratorët shkencorë të policisë. l.m/r.n











