Shoferët e boteve, që dyshohet se kanë qarkulluar naftën “virgin” gjatë viteve 2007-2009, kanë mohuar të kenë kryer transportim malli kontrabandë.Fadil Abdurrahmani dhe Gazmend Serjani, të arrestuar të shtunën me urdhër të gjykatës, janë marrë në pyetje nga organi i akuzës, duke u qëndruar besnikë deklarimeve që kanë dhënë më parë në Prokurori. Ashtu siç del nga përgjimet se janë instruktuar të dëshmojnë në Prokurori, shoferët e boteve kanë deklaruar se transportimi dhe hyrje-daljet e naftës së papërpunuar që merrej nga Ballshi, janë kryer në mënyrë të rregullt dhe me dokumentacionin përkatës. Shoferët kanë dëshmuar se janë dëshmitarë të faktit se nafta është marrë në rafinerinë e Ballshit dhe prej andej është transportuar në drejtim të portit të Vlorës, për t’u importuar jashtë vendit. Nga ana tjetër, Prokuroria i ka hedhur poshtë pretendimet e shoferëve, duke i ballafaquar ato me të dhënat zyrtare të doganës së Vlorës dhe informacionet për anijet që pretendohej se ishin ngarkuar me naftë. Tri anijet në fjalë nuk janë ngarkuar fare me naftë “virgin”, por pasi qëndronin 2-3 ditë në portin e Vlorës, janë larguar bosh, ndërkohë që nafta që deklarohej se ishte ngarkuar në to, është rihedhur në tregun shqiptar e papërpunuar.
Hetimet
Në lidhje me dëshmitë e dhëna nga shoferët e boteve, që dyshohet se kanë qarkulluar naftën, veç të dhënave nga porti dhe nga dogana e Vlorës, Prokuroria ka siguruar përgjime të bëra ndaj shtetasit Iliaz Fisheku. Sipas Prokurorisë, në datat 31 dhjetor 2010 dhe më pas në datën 1 janar 2011, ky shtetas, biznesmen, pronar i kompanisë Fisheku Sh.a, u ka telefonuar personave që ishin në dijeni të kontrabandës dhe u ka kërkuar që të rakordoheshin për dëshmitë në Prokurori. Sipas përgjimeve, ai i ka instruktuar punonjësit që të pohonin në Prokurori se nafta ishte marrë nga Ballshi dhe me dokumentacion të rregullt ishte dërguar më pas në portin e Vlorës, për t’u importuar jashtë vendit për përpunim. Pas arrestimit ditën e premte, mësohet se biznesmenët Iliaz Fisheku, pronar i “Fisheku” sh.a dhe Hajri Elezaj, pronar i Euroil, nuk kanë dhënë deklarime, pasi kanë preferuar të kenë të pranishëm avokatët e tyre. Ndaj tyre mësohet se Prokuroria ka nisur edhe verifikimin e veprimeve financiare që janë kryer gjatë periudhës 2007-2009, kohë kur dyshohet se dy kompanitë kanë rifutur në tregun shqiptar kontrabandë, naftën e papërpunuar që kanë marrë nga rafineria e Ballshit.
Të arrestuarit
. Hajri Hajredin Elezaj, biznesmen
. Ilias Isa Fisheku, biznesmen
. Martin Ilias Fisheku, biznesmen
. Bajram Isa Fisheku, biznesmen
. Dashamir Veiz Kasaj, inspektor
tatimesh, Fier
. Edmond Kaso Ferraj, doganier, Vlorë
. Flamur Rexhep Merkaj, punonjës
. Vladimir Kilo Koteci, punonjës
. Gani Llazar Prençe, punonjës
. Reshat Hamza Aleksi, punonjës
. Kadri Rakip Hajredini, punonjës
. Fadil Abdurrahmani, shofer i boteve
. Gazmend Serjani, shofer i boteve
. Një në kërkim, shofer i boteve
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











