SHKODËR – Shërbimi ambulator në Shkodër, tashmë me një dimension të ri. Drejtori i Spitalit Rajonal të Shkodrës, Namik Kamberi, pohon se poliklinika qendrore do të zhvendoset në ambientet e institucionit që ai drejton dhe se kjo do të çojë në një shërbim të përqendruar dhe të kontrolluar ambulator. Sipas Kamberit, ky ndryshim do të bëjë që nga njëra anë pacientët të gjejnë një shërbim korrekt dhe nga ana tjetër do të shmangen vizitat ambulatore në repartet e spitalit. Në një intervistë për “Panorama”-n, Kamberi sqaron se poliklinika do të vendoset në godinën 4-katëshe ku ka qenë kirurgjia. Ndërkohë, ai tregon ndryshimet që do të pësojë ky shërbim dhe përfitimet që do të kenë shkodranët me këtë ristrukturim.
Cili është ndryshimi që spitali rajonal i Shkodrës po i bën shërbimit ambulator?
Ndryshe nga sa ka funksionuar gjer tani, shërbimi i urgjencës do të modernizohet. Shërbimi që do t’u ofrohet qytetarëve do të jetë ndryshe, pasi do të kemi një pikë, të cilën mund ta quajmë si distributor. Kjo do të jetë tek poliklinika, ku do të ketë dy dhoma dhe aty do të shërbejnë mjekë dhe infermierë, të cilët janë të specializuar për këtë lloj shërbimi. Ka disa muaj që ky staf është duke u specializuar në Milano. Po mundohemi të implementojmë mënyrën e shërbimit të këtij spitali, të sjellim këtu një metodë të re pune.
Ky shërbim i ri do të shoqërohet edhe me ndryshime të ambienteve?
Sigurisht që do të shoqërohet me ndryshime. Në ambientet e spitalit rajonal të Shkodrës do të bëhet një ristrukturim, me qëllim që shërbimi ndaj të sëmurëve të jetë sa më bashkëkohor. Poliklinika do të ndryshojë ambiente, ajo do të zhvendoset nga sheshi “2 Prilli”, në ambientet e spitalit. Pra, do të jetë në qendër të spitaleve. Godina katërkatëshe që ka qenë kirurgjia dhe sëmundjet e brendshme, do të jenë tashmë për shërbimin ambulator. Kjo ndërtesë do të jetë vetëm poliklinikë. Në këtë mënyrë, specialistë të të gjitha shërbimeve nuk do të bëjnë vizita më në repartet e tyre, por në poliklinikë me grafik, (me radhë). I sëmuri vjen në spital dhe kryen të gjithë nevojat që ka pa dalë nga këto ambiente. Shërbimi ambulator do jetë i kontrolluar.
Mendoni se ky ndryshim do të jetë i suksesshëm?
Ne kemi kohë që jemi duke e studiuar një gjë të tillë. Kemi parë mënyrat e funksionimit të këtij shërbimi në vendet europiane dhe jemi të bindur se ky variant është shumë funksional. Krijon një shërbim të përqendruar, shmang sorollatjet dhe vizitat ambulatore bëhen të kontrolluara. Ne jemi duke e bërë publike këtë ndryshim me qëllim që edhe qytetarët të jenë në dijeni të këtij ndryshimi. Spitali rajonal i Shkodrës tashmë falë investimeve që janë bërë dhe që po bëhen, është kthyer në qendër spitalore për Veriun e Shqipërisë. r.d











