Shkodër, Kurmemaj me armë në brez

Mar 16, 2011 | 11:43

Viktima Astrit Kurmemaj qarkullonte i armatosur. Policia e Shkodrës pohoi dje se 45-vjeçarit iu gjet një pistoletë, por ai nuk ka mundur dot ta përdorë.Kurmemaj e njihte rrezikun dhe lëvizte me armë, ndonëse ishte munduar nga ana tjetër që të fshihej nën syze dhe me kapuç. Sipas ekspertëve, vrasësi ka qenë tepër profesionist, pasi i është afruar dhe e ka goditur të dënuarin për vrasje duke e qëlluar dy herë. Goditja ka qenë aq e befasishme, saqë Kurmemaj nuk ka mundur as të vërë dorën tek arma që mbante në brez.
Me gjithë hetimet intensive, ngjarja e ndodhur në mes të ditës së hënë në Shkodër ka mbetur mister. Megjithëse në ambientet e policisë, gjatë mbrëmjes së të hënës janë shoqëruar rreth 20 persona dhe u dyshua se autorët ishin mes tyre, përsëri nuk ka ende asnjë të ndaluar në lidhje me këtë vrasje. Uniformat blu dhe forcat e FNSH-së, menjëherë pas ngjarjes u janë drejtuar banesave të familjes Muça, si të dyshuarit kryesorë të krimit, nisur nga historia e konfliktit të përgjakshëm mes tyre. Nga burime të policisë mësohet se ata i kanë gjetur të gjithë meshkujt e këtyre familjeve në banesa me familjarët e tyre dhe se nuk kishin dijeni mbi atë se çfarë kishte ndodhur. Menjëherë pas vrasjes është ngritur një grup hetimor në përbërje të të cilit janë ekspertë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që kanë nisur nga e para në lidhje me rindërtimin e skemës së krimit në vendin e ngjarjes. Ekspertët e Krimeve të Rënda kanë mundur të konstatojnë se Kurmemaj është qëlluar nga një person i panjohur, i cili e ka qëlluar dy herë pas koke. Të dy plumbat e kanë marrë 45-vjeçarin në kokë, fare pranë njëri-tjetrit. Marrja e plumbave në afërsi shpjegohet me faktin se autori i krimit jo vetëm që ka përdorur një pistoletë automatike, por ai ka qenë vërtet profesionist. Nga këqyrja e parë e kufomës u mendua se kishte vetëm një plumb në kokë ngaqë gjaku kishte mbuluar vendin e plagës, por pas ekspertizës së imtësishme të trupit të viktimës u mësua se kishte dy vrima hyrje të plumbave në kokë. Ndërkohë që misterin e shton akoma edhe më shumë mungesa e gëzhojave të armës së krimit në vendin e krimit. Mungesa e gëzhojave të armës për ekspertët e kriminalistikës të bën të mendosh se kjo vrasje ka qenë e paramenduar dhe se autorët kanë qenë vërtet profesionistë. Ndërkohë që burime pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër pohojnë se tashmë janë rihapur dosjet e Kurmemajt, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tij jo vetëm në Shqipëri, por po hetohet nëse ka pasur ndonjë problem gjatë kohës që ai ka qenë jashtë Shqipërisë si emigrant prej 15 vitesh. Tashmë, pas mungesës së dëshmive dhe të provave në vendin e ngjarjes, rrethi i të dyshuarve është zgjeruar gjithnjë e më shumë, pohojnë të njëjtat burime nga Drejtoria e Policisë.

© Panorama.al

Te lidhura