Shkelën kontratat, METE u revokon lejet 55 shoqërive

Sep 7, 2011 | 10:25
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Vala e heqjes së lejeve ka kaluar tashmë në sektorin minerar për kompanitë që nuk respektojnë kushtet e kontratës, që kanë nënshkruar me shtetin.Kontrollet e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore kanë raportuar një seri shkeljesh nga ana e disa shoqërive dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, ka marrë dje vendimin për revokimin e 55 lejeve minerare. Në një njoftim të kësaj ministrie, bëhet me dije se arsyet e kësaj mase lidhen me kushtet që duhet të plotësonin kompanitë që zotëronin këto miniera dhe mosrealizimin e investimeve sipas planeve të parashikuara në marrëveshje. “Kontrollet e kryera kanë verifikuar se shumë prej subjekteve minerare, për të cilat kanë nisur procedurat e revokimit të lejeve minerare, nuk kanë punuar dhe nuk punojnë, si dhe nuk kanë paraqitur programin vjetor të aktivitetit për vitin 2011, si dhe për vitet paraardhëse”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Sakaq, nga ana e METE bëhet me dije se shoqëritë të cilave u është bërë revokim i lejeve, janë vënë në dijeni lidhur me këtë masë dhe pas 30 ditësh pritet të bëhet heqja e lejes minerare. Përgjithësisht, shkeljet që janë hasur në shoqëritë lidhen me një sërë nenesh të ligjeve në fuqi për sektorin minerar, mes të tjerave realizimi i planit të investimeve, që është edhe një nga pikat kryesore të marrëveshjes shoqëri private-shtet. Tjetër detyrim që kompanitë kanë sipas nenit 25 të ligjit për sektorin minerar, është ai i raportimit të saktë pranë strukturave, lidhur me të dhënat financiare dhe teknike të të gjitha operacioneve të kryera sipas planit vjetor. Në sektorin minerar deri më tani ministri Nasip Naço nuk kishte ndërmarrë vendime për revokim lejesh, por vetëm për gjoba dhe një prej kompanive që u gjobit pak kohë më parë ishte ajo ACR, po për mosrealizimin e investimeve. Kompania kanadeze u gjobit me vlerën 56 milionë lekë, sepse nuk kishte kryer investimet që parashikonte marrëveshja sipas afateve. Revokimi i 55 lejeve minerare për shoqëritë që njoftoi dje Ministria e Ekonomisë duket se ka kthyer vëmendjen e punës në këtë sektor, pas problemeve në Bulqizë. Deri më tani, heqja e lejeve për shoqëritë që nuk plotësojnë kushtet ka qenë e dukshme për sektorë të tjerë, siç është ai i hidrokarbureve, ku vetëm dy ditë më parë u hoqën 11 leje tregtimi ndaj shoqërive që operonin në këtë treg.

55 shoqërive
u janë revokuar lejet minerare nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për shkak se nuk kishin realizuar investimet dhe nuk kanë zbatuar kushtet që kërkon marrëveshja me shtetin.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura