
Komisioni i Ligjeve do t’i propozojë seancës hetimin
Komisioni i Ligjeve do të formalizojë sot kërkesën e maxhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor për të shkarkuar nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Burime pranë maxhorancës bëjnë të ditur se në mbledhjen e sotme, në orën 9:00, pritet që deputetët të njihen me nismën e propozuar nga shumica. Në nenin 114 të Rregullores përcaktohet se Komisioni i Ligjeve përgatit një raport që ia paraqet seancës plenare për miratim. “Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën me dokumentet shoqëruese të saj Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 15 ditëve i paraqet Kuvendit raportin dhe propozimin e tij për ngritjen ose mosngritjen e një komisioni hetimor”, thuhet në pikën 2 të nenit 114 të Rregullores. Ligji për funksionimin e Parlamentit përcakton gjithashtu se personi që do të hetohet, mund të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe ky i fundit është i detyruar ta dëgjojë. “Në rast se personi për të cilin kërkohet shkarkimi dëshiron të shprehet në Komision, Komisioni është i detyruar ta dëgjojë atë duke i lënë një kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe dhënien e sqarimeve”, thuhet në pikën 2. Megjithatë, ende nuk dihet nëse Spahiu do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Një ditë më parë ai deklaroi se nisma e shumicës është antikushtetuese dhe antiligjore.











