DURRES- Sherr ndërmjet nxënësve të gjimnazit për një vajzë, plagosen me thikë dy prej tyre. Sipas policisë, gjatë një konflikti të ndodhur dje mes nxënësve të shkollës së mesme në Fermë Sukth, kanë mbetur të plagosur J.M., 18 vjeç dhe A.Ç., 16 vjeç. Mësohet se një grup nxënësish ndodheshin në oborrin e shkollës, kur kanë filluar të zihen me njëri-tjetrin. Në sherr janë përfshirë shumë prej adoleshentëve, por njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete, duke qëlluar dy shokët e tij. Adoleshentët kanë mbetur të plagosur pas plagëve të marra në trup. Të alarmuar nga ngjarja, nxënësit janë larguar me vrap për në ambientet e brendshme, duke vënë në dijeni mësuesit e tyre. Këta të fundit i dërguan të plagosurit në spitalin e Durrësit si dhe njoftuan edhe policinë. Sipas policisë, autori i plagosjes është 19-vjeçari nga fshati Katund i Ri, Dorjan Beqo, i cili do të ndiqet në gjendje të lirë për ngjarjen. Dëshmitarët i pohuan policisë se ka qenë ora 11: 40, kur ata sapo kishin dalë në oborr të shkollës. Zënka kishte filluar që në mëngjes, duke vazhduar sërish më pas, deri sa ka përfunduar me dy të plagosur. Sipas dëshmitarëve, adoleshentët janë grindur për një vajzë dhe ata ishin sharë e ofenduar me njëri-tjetrin që në mëngjes. Burime nga policia thanë se dy nxënësit e plagosur ndodhen në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. l.m











