Tirana ka pezulluar pa afat mbrojtësin e saj Ivan Gvozdenoviç. 32-vjeçari ka pasur një zënkë në stërvitjen e së martës me kolegun e tij, Erjon Dushku dhe ndaj tij është marrë menjëherë masa e pezullimit. Lojtari nuk ka qenë as dje në dispozicion të trajnerit Misho Kërstiçeviç dhe, sipas gjasave, mund t’i thotë lamtumirë skuadrës bardheblu, ende pa përfunduar mirë sezoni. Serbi erdhi te Tirana në verën e 2010-ës dhe u konsiderua si një nga blerjet më të mira të presidentit, Halili. Por në fakt, edhe pse vinte nga një karriera e pasur te skuadra si Standart Liezh, Partizani i Beogradit, Kavala, lojtari nuk bëri një diferencë mbresëlënëse, paçka se është aktivizuar rregullisht gjatë gjithë sezonit. Ndonëse nuk gjen konfirmim nga asnjë prej drejtuesve të klubit bardheblu, me gjasa futbollistit do t’i mbahet edhe një pjesë rroge, kjo si dënim për shkeljen e rregullores së klubit në seancat stërvitore.











