Shembja e rrugës në Prrenjas, Berisha: Rama shpërbleu me dhjetëra tendera kompaninë 2T të Sakos që ka ndërtuar pallatin në pajë

Feb 24, 2026 | 12:53

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar sërish dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për përfshirje në afera të mëdha korruptive dhe për pengim të funksionimit të drejtësisë.

Ai iu referua gjithashtu një raporti të vitit 2014 OSBE, duke pretenduar se në të përmendet emri i Ramës lidhur me akuza për fonde të depozituara në “offshore” në vlerë prej 200 milionë eurosh. Sipas Berishës, ndaj kësaj akuze nuk është ndërmarrë asnjë padi nga kryeministri.

“Jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit, i cili rezulton jo vetëm i implikuar në mega-aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, por rezulton edhe pengesa më kryesore e funksionimit të drejtësisë, çka përbën një krim të rëndë në vetvete.

Emri i Edi Ramës lidhet me akuzën direkte të raportit të OSBE në vitin 2014, në të cilin njoftohej se Edi Rama mori detyrën e kryeministrit duke pasur të depozituara në bankat offshore 200 milionë euro.

Ndaj kësaj akuze konkrete, Edi Rama nuk ngriti asnjë padie, civile apo penale, për të mos thënë që e kapërdiu në heshtje të plotë”, deklaroi Berisha.

Ish kryeministri ngriti akuza edhe për pasuritë e Ramës, përfshirë banesën e tij në Surrel dhe një pallat në Tiranë, për të cilat ai pretendon se janë ndërtuar me fonde të pajustifikuara dhe në kundërshtim me ligjin.

Ai përmendi gjithashtu kompanin e ndërtimit të vëllezërve Sako, duke i cilësuar si përfitues të tenderave publikë. Kompania 2T eshte kompania e cila ka përfituar tendera për rrugen ne Prrenjas, e cila sot eshte shembur.

“Edi Rama u bë kryeministër me sarajet e Surrelit mbi shpinë, saraje me gjatësi themelesh 57 metra, dy herë më të gjata se vila e ish-diktatorit Hoxha, të ndërtuara me materiale të superkushtueshme. Me një oborr-park fillimisht 5400, aktualisht 8300 metër katrorë me ullinj shekullorë të shkulur në ullishtet e vendit dhe të implantuara në kopshtin e narkosulltanit të Surrelit.

Erdhi në pushtet me pallatin në pajë, të ndërtuar nga kompania e vëllait të komandantit të Gardës, Gramoz Sako. Pallat i ndërtuar në sheshin e pallateve, me leje të kundërligjshme, totalisht të kundërligjshme, por mbi të gjitha nga 5 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë, për pallatin në pajë nuk ekziston nga familja Rama as edhe një faturë bankare, financiare, tatimore, doganore, ndërtimore apo e çfarëdo llojit. Që të gjitha, përfshi regjistrimin e pronës, janë në emër të kompanisë.

Zonja Rama deklaroi se pallati është ndërtuar me para gjaku, duke implikuar thellë vëllain e vet, njeri korrekt në vlerësimin tim në emigracion. Por midis korrupsionit të burrit dhe të vëllait, ia ngjeshi vëllait. Pallati, tha, është i ndërtuar me para gjaku. Se ç’janë paratë e gjakut, e kanë të qartë shqiptarët.

Nuk është e vërtetë, pallati është vepër e korrupsionit të bashkëshortit të saj, Edi Rama, i cili e ka shpërblyer me dhjetëra tendera kompaninë që ka ndërtuar pallatin në pajë dhe kompaninë që ka ndërtuar sarajet e Surrelit. Edi Rama kryeministër nuk ndali vrapin por vazhdoi i tërbuar duke plaçkitur pasuritë dhe fondet publike të shqiptarëve.”, tha Berisha.

 

© Panorama.al

Te lidhura