Asnjë nga tre shokët e punës nuk shpëtoi. Altin Elezi, 37 vjeç, Nazif Boja, 22 vjeç dhe Dritan Hoxholli, 28 vjeç mbetën të vdekur nën masivin e tullave dhe gurëve që u rrëzuan prej ndërtesës së amortizuar.
Tre personat kanë humbur jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme teksa ishin duke grumbulluar hekurishte në tarracën e ish-ndërtesës së rezervave të shtetit në këtë zonë të thellë malore të rrethit të Gramshit. Ata shkonin shpesh në këtë zonë të braktisur prej kohësh nga ana e shtetit dhe nga aty shembnin betonin, me qëllim nxjerrjen e hekurave për t’i shitur më pas si skrap. Në një moment kur ata ishin duke shembur tarracën e ndërtesës së amortizuar, ajo është shkëputur papritur, duke i marrë me vete dhe tre shokët. Ata janë përplasur fatalisht në katin e parë, ndërsa u ka rënë mbi vete dhe një sasi e madhe inertesh të ndërtesës. Sipas dëshmitarëve të zonës që kanë njoftuar edhe policinë, tre të rinjtë janë ndodhur mes gërmadhave të ndërtesës së amortizuar, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Banorët e zonës përreth që ndodheshin pranë vendit të tragjedisë janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë tre të rinjve, por ka qenë e kotë. Ata kanë lajmëruar policinë, forca të shumta të së cilës kanë mbërritur në fshatin e largët. Menjëherë ka nisur puna për të nxjerrë plotësisht nga gërmadhat trupat e viktimave. Të ndihmuar dhe nga banorët e zonës, punonjësit e policisë, kanë larguar trupat e viktimave, duke i transportuar drejt spitalit të Gramshit. Sipas policisë, të tre këta persona njiheshin nga banorët e zonës që e frekuentonin këtë zonë me qëllim mbledhjen e hekurit për skrap. Shënjestra më e fundit ishte godina e amortizuar e ish-rezervave të shtetit, e cila ishte e braktisur dhe nuk ruhej nga askush prej më shumë se 4 vitesh. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dhe përfaqësues të Prokurorisë së Elbasanit me qëllim këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj. Altin Elezi, 37-vjeçari që humbi jetën nga të dhënat rezulton se është pronar i një pikë që grumbullon skrap, në komunën Gostimë të Gramshit. Viktima tjetër, Nazif Boja, është banor po i kësaj komune, ndërsa viktima e tretë, Dritan Hoxholli, banues në komunën Pishaj të qytetit të Gramshit. Ata kishin shkuar deri në këtë fshat të largët me një fuoristradë “Land Rover” në pronësi të Hoxhollit, me të cilën do të bëhej dhe transporti i materialeve me vlerë.











