SHBA, apel politikës: Zgjedhjet,më të mira se 2009

Mar 9, 2011 | 9:18

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i bëjnë thirrje klasës politike të organizojë më 8 maj, zgjedhje më të mira se ato të dy viteve më parë.

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së, Eugen Uollfarth, dhe ajo Gjermanisë, Carola Müller-Holtkemper, e bënë apelin e tyre nga Elbasani, ku morën pjesë në inaugurimin e linjës së re të çmilitarizimit të municioneve në Uzinën e Mjekësit. “Ajo që ne duam është që zgjedhjet të zhvillohen, ajo që vendi meriton janë zgjedhjet e mira. Jo domosdoshmërish mund të jenë të përsosura, por të jenë më të mira se zgjedhjet e kaluara”, u shpreh diplomati amerikan në vendin tonë. Ai shtoi më tej se diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë do të vizitojnë disa nga qytetet kryesore, teksa shtuan se është përgjegjësi e partive politike t’u japin qytetarëve një mundësi zgjedhjeje. “Ne gjatë gjithë javës sot jemi këtu, nesër do jemi në Kukës edhe kam përshtypjen që javën tjetër do vizitojmë edhe Durrësin. Ajo që do bëjmë ne deri në datën 8 maj, është që mund të vizitojmë disa qendra, për të thënë që këto zgjedhje janë të rëndësishme për Shqipërinë, janë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve dhe populli shqiptar e meriton këtë. Është detyrim dhe përgjegjësi e partive që t’i japin popullit shqiptar një mundësi zgjedhjeje. Është detyrim i qeverisë që të bashkëpunojë me KQZ-në për të arritur që të bëhen zgjedhjet më të mira që janë arritur deri më sot”, tha ambasadori Arvizu.
OSBE
Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, i cili theksoi se në tetë maj do të ketë një grup të madh vëzhguesish, të cilët do të ndjekin nga afër procesin elektoral. “Është e rëndësishme për të theksuar se këto janë zgjedhjet e shqiptarëve e do të ketë një mision vëzhgimi të zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR dhe do të ketë edhe grupe vëzhguesish nga vende të tjera. Por kjo nuk e ndryshon karakterin e këtyre zgjedhjeve dhe të gjithë duhet të përgatiten për të pasur zgjedhje në mënyrën e duhur. Ajo që duhet bërë nga partitë politike është ofrimi i alternativave për mundësi”, tha ambasadori Uollfarth. Sipas tij, “ashtu siç tha edhe ambasadori i SHBA-së, njerëzit kanë të drejtën e një zgjedhjeje. Është shumë e rëndësishme për demokracinë që njerëzit të kenë mundësinë për një zgjedhje. Kodi Zgjedhor dhe dekretimi nga Presidenti tregojnë për respektimin e afateve dhe një prej këtyre afateve është dita e sotme”.
Gjermania
Ambasadorja Gjermane, Carola Müller-Holtkemper, deklaroi se zgjedhjet e 8 majit duhet të jenë më të mirat që ka parë Shqipëria deri tani. Ambasadorja gjermane u shpreh se zgjedhjet e 8 majit do të jetë një testim për të ardhmen e Shqipërisë në BE. “Ashtu siç theksuan edhe kolegët e mi, të gjithë jemi të së njëjtës bindje, që këto duhen të jenë zgjedhjet më të mira që ka parë Shqipëria deri tani. Këto zgjedhje do të vëzhgohen nga afër nga grupe vëzhguesish, nga ata që kanë qenë vëzhgues në zgjedhjet e kaluara, por edhe nga vëzhgues në nivelin politik. Ky do të jetë edhe një testim për të ardhmen e Shqipërisë në BE, prandaj janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe për të ardhmen e këtij populli”.

 

ALDO KOZARJA

© Panorama.al

Te lidhura