SHBA, OSBE, BE: Hetim për dhunën ndaj romëve

Mar 16, 2011 | 13:37

TIRANË- Hetim për dëbimin dhe keqtrajtimin e familjeve rome, ndihmë për sistemimin e tyre dhe mospërsëritje më të shfaqjeve të diskriminimit. Me këtë mesazh të përbashkët, SHBA, OSBE dhe BE kërkojnë reagimin e qeverisë shqiptare dhe marrjen e masave për ngjarjen e pak ditëve më parë, kur rreth 50 familje rome u dëbuan me dhunë nga banesat e tyre në periferi të Tiranës. Deklarata është nënshkruar sot nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Uollfarth, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu dhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi .

Sipas deklaratës, prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri janë informuar se prej 20 shkurtit 2011, për disa ditë, dhjetëra familje rome janë larguar me forcë nga vendqëndrimi i tyre pranë qendrës së Tiranës nga persona të paidentifikuar, të cilët u vunë zjarrin barakave ku ata jetonin dhe i përzunë prej tyre.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit, për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më. Ne i nxisim autoritetet të marrin hapat e duhura për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, përfshirë strehimin, për ata njerëz që kanë mbetur të pastrehë”, theksohet në deklaratë.

Më tej, ambasadorët kërkojnë nga qeveria angazhim serioz për zbatimin e Planit të Veprimit për Përmirësimin e Situatës së romëve dhe sintive në Zonën e OSBE-së, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave 2009 për Shtimin e Përpjekjeve të OSBE-së për Integrim të Qëndrueshëm të romëve dhe sintive. “Miratimi i këtij vendimi nga Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, tregon angazhimin e këtyre vendeve për të luftuar diskriminimin dhe racizmin ndaj romëve dhe sintive, edhe nëpërmjet medias”, thuhet në deklaratë.

© Panorama.al

Te lidhura