SHBA: Fitore për demokracinë, palët të presin KQZ-në

May 15, 2011 | 11:04

Ambasada Amerikane në Tiranë përshëndeti menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave në Njësinë Bashkiake Nr.5, duke uruar demokracinë dhe popullin shqiptar. Përmes një njoftimi për shtyp, Ambasada Amerikane i kërkon palëve të presin certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve sipas Kodit Zgjedhor, ndërsa shprehet se qëndrimi i saj është në konsultim dhe në të njëjtën valë me përfaqësitë e tjera diplomatike në Tiranë. “Urime për kapërcimin e vijës së finishit. Ka qenë një fitore për demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar. Teksa të dyja palët pretendojnë fitoren, është posaçërisht e rëndësishme të pritet që rezultatet të certifikohen në përputhje me Kodin Zgjedhor. Pozicioni ynë është bashkërenduar në konsultim të ngushtë me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Edhe një herë, urimet tona për popullin shqiptar”, shprehet në njoftimin e saj për mediat Ambasada Amerikane në Tiranë. Dy ditët e fundit, kanë qenë më intensivet për ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ambasadori ka qëndruar në ambientet e numërimit të votave të KZAZ-së Nr.49 për orë të tëra të premten në darkë, por dhe dje gjatë paradites. Arvizu mbërriti dje në mëngjes në KZAZ-në Nr.49, para se aty të mbërrinin komisionerët dhe numëruesit, duke qëndruar aty deri sa procesi nisi. Prezenca e tij në ambientet e numërimit bëri që ritmi i punës të ishte i lartë, duke bërë të mundur që 8 kutitë e mbetura të numëroheshin para orës 16:00, ndryshe nga nisja e këtij procesi në këtë KZAZ.

Volfarth: Mesazhi i votës, bashkëpunim mes kampeve

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, kërkoi që fituesi të festojë pas daljes së rezultatit përfundimtar. “Për mua fituesi është i qartë: ajo është, në radhë të parë, demokracia. Kjo është e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Fituesi, pasi të dalë rezultati përfundimtar, do të ndiejë se ishte fitore e vërtetë dhe kjo është e rëndësishme. Ajo që më lë vërtet mbresa është mesazhi që vjen nga votuesit. Pavarësisht llogaritjeve matematikore dhe rezultatit përfundimtar, kur rezultati është kaq i balancuar, unë shoh një mesazh të mirë në të. Ky është mesazhi për një bashkëpunim ndërmjet të dyja kampeve, midis partive kryesore, i cili i hap rrugën një të ardhmeje akoma më të mirë. As Alfred Hitchcock nuk mund të kishte shkruar një skenar më dramatik. Kryeministri me deklaratën e tij tregoi një lidership të vërtetë. Ai përdori fjalët e duhura kur shprehu respekt për procesin e duhur, pritjen për shpalljen e rezultateve nga KQZ-ja dhe kur u bëri thirrje votuesve, qytetarëve dhe simpatizantëve të partive, që të festojnë, por në mënyrë të qetë”, u shpreh Volfarth.

© Panorama.al

Te lidhura